Lajme Shqip Friday, 25 March 2011 18:16

Prishtinë – Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka quajtur Kosovën ‘kazino’ në të cilën paratë vijnë e shkojnë me shpejtësi.

Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, gjatë shqyrtimit të projektligjit për buxhetin e vitit 2011, Kurti ka mbrojtur qëndrimin e Vetëvendosjes kundër shitjes së PTK-së, duke thënë se shitja e kësaj ndërmarrje fitimprurëse është e dëmshme për qytetarët dhe për shtetin e Kosovës.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka ndryshuar aspak qasjen dhe politikën e saj ekonomike nga mandati i kaluar dhe se kjo sipas tij, shihet pikërisht në nenin 4 të projektbuxhetit, i cili parasheh shitjen e PTK-së.

“Rruga e kombit do të mund të financohej nga fitimi i PTK-së, e jo nga shitja. Asfalti ynë është në shërbim të shteteve tjera. Nga 32 maune që kam parë përgjatë rrugës Prishtinë-Pejë vetëm 4 prej tyre kanë qenë të Kosovës dhe ajo ishte e një filiali të një kompanie të huaj. Kosova është bërë kazino ku vijnë paratë dhe shkojnë me shpejtësi. Pa sovranitet Kosova si shtet nuk do të mund të ketë asgjë”, është shprehur Kurti.

Ai ka thënë se përderisa UNMIK-u e bëri shitjen e ndërmarrjeve shoqërore, tani Qeveria e Kosovës po bën shitjen e ndërmarrjeve publike dhe kjo sipas tij, është mënyra më e keqe për zhvillim ekonomik.