Lajme Shqip Wednesday, 15 August 2012 21:21

Tiranë  – Ministria e Mbrojtjes (MM) bëri të ditur se 185 ushtarë dhe 10 mjete të Forcave të Armatosura janë duke punuar për të shuar flakët në fshatin Priskë e Madhe, në Komunën e Dajtit, ku “në rrezik është edhe vetë Parku Kombëtar i Dajtit”. Sipas deklaratës së publikuar në mbrëmje, situata e flakëve në pyjet e kësaj zonë “është përkeqësuar edhe më shumë pasditen e sotme, ku vatra e zjarrit është shpërndarë në një sipërfaqe edhe më të madhe”.

Ministria e Mbrojtjes pohoi se ndërhyrja e Ushtrisë ka ardhur pas një kërkesë për ndihmë, si pasojë e terrenit tepër të vështirë malor që nuk lejon përdorimin e mjeteve të tjera.

“Me të marrë sinjalizimin për situatën, forcat e ushtrisë kanë shkuar në vendngjarje ku po punojnë intensivisht për shuarjen e zjarrit. Operacioni i forcave ushtarake për shuarjen e zjarrit në kurorën e gjelbër të malit të Dajtit, po vazhdon edhe në këto momente. Sipas informacioneve të marra nga vendi i ngjarjes, mësohet se situata paraqitet tejet e vështirë për shkak të terrenit të vështirë, ndërkohë që forcat e ushtrisë po bëjnë të gjitha përpjekjet që flakët e zjarrit të vihen nën kontroll në të gjithë hapësirën që ka përfshirë. Operacioni i Forcave Ushtarake po drejtohet nga zëvendëskomandanti i Forcave Tokësore, kolonel Sokrat Prifti, ndërkohë që ky operacion do të vazhdojë deri në normalizimin e situatës. Për situatën është ngritur edhe grupi për menaxhimin e emergjencave me përfaqësues të pushtetit lokal, zjarrfikëseve, policisë dhe ushtrisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Flakët e zjarrit në faqen e malit të fshatit Priskë e Madhe shpërthyen të dielën e kaluar rreth orës 15:00, por ato u vunë shpejt nën kontroll nga punonjës të Policisë së Shtetit, PMZSH, Forcat e Ushtrisë, punonjës të Komunës Dajt, si dhe nga banorët e zonës, të cilët ndihmuan në lokalizimin e tij. Por “ndikimi i erës dhe temperatura e larta që kanë përfshirë vendin tonë – sqaron MM – kanë ndihmuar që mesditën e sotme flakët e zjarrit të rriten sërish ku në rrezik është edhe Parku Kombëtar i Dajtit”.(LajmeShqip.com)