Lajme Shqip Friday, 10 February 2012 15:02

Mitrovicë (raportimi deri në orën 15:00) – Komuna e Mitrovicës do të ndihmojë familjen e Islam Musës nga Bajgora, të cilit i’u dogj shtëpia tre më parë. Për fat, 8 anëtarët e kësaj familjeje kanë shpëtuar dhe prej asaj dite po duke jetojnë tek të afërmit të tyre në Bajgorë.

Për të parë gjendjen nga afër, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, i shoqëruar nga kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Rrustem Musa dhe drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, kanë vizituar këtë familje.

Ata kanë biseduar për problemet e tyre, të cilët kanë nevojë urgjente për strehim. Gjithashtu treguan se si pasojë e djegies së shtëpisë kanë mbetur edhe pa veshmbathje dhe pa gjërat tjera elementare.

Në anën tjetër, falënderuan kryetarin Kastrati dhe bashkëpunëtorët e tij për mbështetjen. Kryetari Kastrati, tha se në kuadër të mundësive komuna do t’u ndihmoj në mënyrë që t’a përballojnë këtë dimër.

“Ne do të marrim përsipër që të mbulojmë shpenzimet për strehim derisa të bëhet një zgjidhje për rindërtimin e shtëpisë”. Ndryshe shtëpia e familjes Musa, që tani dyshohet se është djegur nga rryma, në kohën e luftës ka shërbyer si shtab i policisë ushtarake të UÇK-së. Në atë kohë ishte djegur nga ushtria serbe.

Vazhdon emergjenca në Shalë e Bajgorë

Vështirësitë që ka krijuar bora për qarkullim në Komunën e Mitrovicës, ka ndikuar që disa familje të kenë problem sa i përket furnizimit me artikuj ushqimorë. Problemet me të theksuara të kësaj natyre janë paraqitur në rajonin e Shalës së Bajgorës, ku trashësia e borës është shumë e madhe.

Komuna e Mitrovicës, në kuadër të masave të ndërmarra pas ngritjes së nivelit të gatishmërisë dhe aktivizimit të Komitetit për Mbrojtje nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë e Tjera, ka ndërhyrë në disa raste për t‘u dalur në ndihmë qytetarëve që kanë pasur nevojë. 

Në dy raste është ndërhyrë që të ndihmohen qytetarët që kanë pasur probleme shëndetësore, të cilët janë dërguar në Shtëpinë e Shëndetit.  Ndërsa Drejtoria për Mirëqenie Sociale, në kuadër të mbështetjes për rastet që janë duke u përballur me probleme si pasojë e kushteve klimatike dhe sociale, ka ndarë ndihma ushqimore për disa familje.

Të premten është ndihmuar familja e Rifat Xhafës nga fshati Bare. Drejtori për Mirëqenie Sociale dhe Integrime Evropiane, Kastriot Jashari, tha se të premten janë dërguar ndihma ndihma ushqimore edhe për familjet e fshatrave shqiptare të Leposaviçit.

Tha se ndihmat janë siguruar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Kryqit të Kuq të Kosovës dhe shoqatës humanitare “Nëna Tereze”.

**********************

Mitrovicë- Edhe pse të gjitha rrugët në territorin e Komunës së Mitrovicës janë zhbllokuar nga bora, duke përfshirë edhe fshatrat shqiptare të Leposaviçit dhe Zveçanit, gjendja e gatishmërisë vazhdon të mbetet në fuqi.

Zyrtarët komunalë thanë se do të jenë në gatishmëri për shkak të vazhdimit të reshjeve të borës. Behxhet Bala, drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim, tha se tashmë janë zhbllokuar të gjitha rrugët, duke përfshirë edhe fshatin Kaçandoll që kishte mbetur i izoluar prej të shtunës. Ai bëri me dije se është zhbllokuar edhe magjistralja Mitrovicë-Podujevë. 

Ai theksoi se është duke u punuar që të pastrohen edhe rrugët lokale nëpër fshatra, në mënyrë që të krijohen kushte për qarkullim të lirë të qytetarëve. “Lajm i mirë është se KEK-u ka eliminuar defektet në rrjetin energjetik në zonën e Shalës dhe tashmë fshatrat Melenicë, Maxherë dhe Zabergj po furnizohen me enegji”.

 Mehmet Bajrami, zyrtar në Drejtorinë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, njoftoi se janë pastruar edhe rrugët e fshatrave shqiptare të Komunës së Zveçanit. “Dje është pastruar nga bora edhe rruga që kalon prej Kelmendit, nëpër Boletin e deri në Zhazhë”. Ai tha se nëse kushtet klimatike lejojnë, atëherë do të nisin largimin e grumbujve të borës nga rrugët e qytetit.

“Një herë për një herë jemi të koncentruar në pastrimin e rrugëve edhe brenda fshatrave, mirëpo nëse kushtet lejojnë do të fillojmë me largimin e grumbujve të borës nga rrugët e qytetit”. Zyrtarët e policisë kanë thënë se rrugët në përgjithësi janë të kalueshme, megjithëse me vështirësi. Ata theksuan gjatë 24 orëve të fundit ka pasur një aksident trafiku me dëme materiale.

 Ndërsa zyrtarë të Kryqit të Kuq të Kosovës në Mitrovicë, njoftuan për një kontingjent ndihmash që do të dërgohet për në fshatrat shqiptare të Leposaviçit. U tha se ndihmat janë siguruar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Kryqi i Kuq i Kosovës dhe shoqata humanitare “Nëna Tereze”.

Për të parë gjendjen reale në terren pas reshjeve të borës gjatë ditëve të fundit, ka qëndruar në zonën e Shalës edhe kryetari i komunës, Avni Kastrati, i shoqëruar nga kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Rrustem Musa dhe drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala. Kryetari Kastrati ka kërkuar përkushtim të të gjitha resorëve përgjegjës në mënyrë që situata të menaxhohet me sukses.

Situata në Shalë dhe Bajgorë

Prër më shumë se 2 javë, 5 familje të fshatit, Vesekovcë të Komunës së Vushtrrisë janë të izoluar nga bota. Vesekovci, fshatë në veri-lindje të trevës së Shalës së Bajgorës është një ndërë fshatrat në të thella të kësaj zonë.

Trashësia e borës në këtë fshat ka arritur mbi 2 m ndërsa 5 familjet të cilat jetojnë tani më në këtë fshat kanë mbetuar të izoluar pa ushqime dhe pa ndihmë mjekësore. Nëse nuk ndërhyhet urgjent në ndihma ushqimore, pasojat për këto banorë do të jenë të mëdha. Tani më këta banorë kanë filluar të hanë edhe misër të zier në mungës të ushqimeve të tjera kanë thënë banorët  e këtij fshati të izoluar. 

Remzi Parduzi, banor i këti fshati ka deklaruar me telefon se “jemi të ngujuar ka mbi 2.5 m borë tash disa ditë me radhë. Kemi punët keq me ushqime, por kemi edhe pleq dhe femijë të sëmurë të cilët nuk po mundemi kursesi ti sjellim tek mjeku për shkak të rrugëve tërsisht të bllokuara.

Të premtën pas 4 orëve këmbë kam arritur që të dal në fshatin më të afërt në Skrom dhe nga aty do të shkoj në komunën e Vushtrrisë që të kërkoj ndihmë në hapje e rrugës por edhe ushqime” ka thënë Parduzi.

Ndërsa zyrtarë komunale të Vushtrrisë kanë deklaruar se të premtën përmes Kryqit të Kuq do të shpërndajnë  ndihma për disa fshatarë që janë të ngujuar nga bora si janë Kurullova, Vesekofci dhe Bozhlani.  

Për Vesekovcë është duke u biseduar që nëse nuk munden të lëvizin as kuajt e ngarkuar,  duhet që të kërkojnë ndihmën e Helikopterëve të KFOR-it që të shpërndajnë ndihma në këtë fshat të thellë.