Lajme Shqip Thursday, 11 August 2011 14:52

Tiranë – Reparti i Inspektimit dhe Shpëtimit i Minierave (RISHM), institucion në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, i ka bërë thirrje Policisë së Shtetit të nis menjëherë evakuimin e minatorëve së Bulqizës, pasi rrezikohet shembja e minierës.

Gjatë një deklarate për shtyp ditën e sotme, përfaqësuesi i këtij institucioni deklaroi se “ndërprerja e punës  të minierës prej më shumë së dy muajsh, ka sjellë shembjen e minierës në nivelin 15 dhe 16-të të saj, çka është pasuar me dëmtime serioze në atmosferën e minierës, duke rrezikuar të dëmtojë seriozisht shëndetin e minatorëve të cilët ndodhen në minierë”, tha ai.

Për këtë arsye, Reparti i Inspektimit dhe Shpëtim Minierave, sqaroi më tej ai, “ka ngritur një padi kundrejt drejtuesve të grevës, e cila u depozitua sot pranë Gjykatës së rrethit Gjyqësor të Dibrës”.

Ndërkaq RISHM bëri me dije se pas përfundimit të grevës specialistë pranë kësaj drejtorie, së bashku me drejtues dhe specialistë të mirëmbajtjes të firmës ACR, do të këqyrin minierën për të vlerësuar koston e dëmeve të shkaktuar nga greva e urisë dhe vetëm mbas rehabilitimit të saj, mund të fillojë puna në minierë

Deklarata për shtyp e RISHM-it vjen pas inspektimit të bërë nga specialistë të kësaj drejtorie dy ditë më parë në minierën e Bulqizës.