Lajme Shqip Wednesday, 30 November 2011 18:45

Kreu i këshilltarëve socialistë, Aldrin Dalipi, është shprehur se tashmë Bashkia e Tiranës duhet të ndërrojë emër dhe duhet të quhet Bashkia e Kunatit, duke parë përfshirjen e këtij të fundit në një sërë aferash.

“Lulzim Basha vodhi votat hapur. Lulzim Basha tani po vjedh hapur Tiranën. Ai po vjedh hapur paratë e çdo qytetari të Tiranës.

Bashkia e kryeqytetit çdo ditë po kthehet nga kryetari i emëruar i saj  në një vatër dramatike të korrupsionit të familjes së tij. Tashmë kjo quhet me të drejtë nga qytetarët dhe mediat bashkia e kunatit. Qytetarët e në fund po e shohin përditë se kush dhe pse  i vodhi votat në 8 maj. Edhe njëherë shqiptarët duhet ta mësojnë mirë: Kush vjedh votat do vetëm të vjedhë.

Mediat prej disa ditësh kanë bërë publik fakte ku familjare të kryetarit të emëruar,  po përdorin taksat e qytetarëve me një skemë që na bën të shohim qartë se po  grabitemi nga pasuria jonë e përbashkët publike, nga pasuria e qytetarëve të Tiranës.

Një kompani e familjarëve të tij e krijuar vetëm në muajin nëntor brenda po këtij muaji përfitoi miliona lekë që shkuan drejtpërdrejtë në përfitim të xhepit të familjes së tij.

Fondet për dekorin e festës së pavarësisë shkuan direkt në kompanitë private të familjes. Tiranës iu vodh edhe simboli i festës së pavarësisë.

Miliona lekë të tjera të nxjerra nga xhepat e qytetarëve të Tiranës bëhen gati të shkojnë në xhepat e familjes së Bashës në festat e fundvitit përmes ngritjes së një fshati në qendër të kryeqytetit në rrugën Murat Toptani.

Të njëjtat kompani të familjes Basha do të marrin sërish fondet e kryeqytetit, ku prania e sekserit kunat  është gjithandej me email apo pa email, fizikisht apo në forma të tjera të hapura duke vënë në pozita presioni bizneset që ndodhen në vështirësi financiare e nuk mund të paguajnë për xhepat e Lulit apo kujtdo rreth tij.

Tiranës po i vidhen hapur taksat e qytetarëve të saj!

Është detyrim themelor transparenca për këdo ndryshe çdo orë çdo ditë ata atje në Bashkinë e Kunatit vetëm do grabisin e kjo nuk është ajo çka ne meritojmë”, thuhet në deklaratën e kreut të këshilltarëve socialistë, Aldrin Dalipi.

Padia ndaj kreut të këshilltarëve socialistë

Bashkia e Tiranës do të depozitojë në Gjykatë një padi për shpifje ndaj kryetarit të këshilltarëve socialistë në Këshillin Bashkiak, Aldrin Dalipi, i cili akuzoi sot Kryebashkiakun Lulzim Basha, se “po abuzon me fondet publike në shërbim të interesave dhe përfitimeve financiare të familjarëve të tij”.

Duke reaguar ndaj kësaj deklarate, zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës, Anila Bisha, tha për mediat se ndaj Alfred Dalipit do të depozitohet në Gjykatë një padi për shpifje.

“Bashkia e Tiranës falenderon qindra mijë qytetarë të Tiranës, Shqipërisë, Kosovës  dhe mbarë trojeve shqiptare,  burra dhe gra, të rinj dhe të moshuar, pa dallim bindjesh politike, që u bashkuan në Tiranë për të festuar si kurrë më parë ditën më të rendësishme të historisë tonë kombëtare”.

“Fatkeqësisht kjo frymë feste dhe bashkimi po përballet me avazin e vjetër të përçarjes dhe konfliktit politik që Edi Rama, i verbuar  nga xhelozia  për atmosferën në Tiranë,  ju rikthye sërisht dhe zhgënjyeshëm. Akuzat absurde dhe qesharake janë thjesht dhe vetëm shpifje, që u leshuan si rrjedhojë e këtij mllefi. Edhe pse zoti Dalipi ishte vetëm zëdhënës i  xhelozisë dhe mllefit  të zotit Rama, e informojmë se ndaj tij do të depozitojmë në Gjykatë një padi për shpifje. Sigurojmë qytetarët se këto akuza qesharake nuk do të pengojnë aspak përgatitjet tona për t’i dhënë Tiranës një atmosferë të veçantë festive në këtë fundviti”, thuhet në reagimin e Bashkisë së Tiranës.