Besnik Mustafës, djalit të kryeministrit Isa Mustafa, dhe gjashtë personave të tjerë, të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe mashtrim, pritet t`u shpallet aktgjykimi më 20 tetor.
Kështu ka planifikuar Gjykata. Trupi gjykues këtë informatë e ka bërë publike të hënën në seancë gjyqësore, e cila u mbajt në Gjykatën Themelore në Kaçanik, shkruan sot “Koha Ditore”.
“E kemi llogaritur deri më 20 tetor të përfundojë gjithçka, nëse gjërat shkojnë ashtu siç i kemi planifikuar”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Musa Kongjeli.
Ai po ashtu ka njoftuar palët se kanë zgjedhur një ekspert për të bërë ekspertizën financiare, me të cilin propozim u pajtuan të gjithë.
Të shtatë të akuzuarit po përballen me drejtësinë për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, si dhe për mashtrim që lidhen me ngjarjen e anulimit të fluturimeve të më shumë se 1.600 udhëtarëve në vitin 2009, të cilët kishin mbetur në Aeroportin e Prishtinës.