Lajme Shqip Thursday, 19 September 2013 12:50

Durrës- Eskorta e Presidentit Bujar Nishani u aksidentua në qytetin bregdetar të Durrësit. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm në afërsi të vilës presidenciale në zonën e plazhit të qytetit bregdetar. Në eskortë ka qenë edhe Presidenti Bujar Nishani, pasi ishte duke dalë për të lëvizur drejt qytetit të Tiranës.

Lajmi është konfirmuar për shqiptarja.com nga burime të Ministrisë së Brendshme.

Burimet thanë se, në aksident është përfshirë makina e parë e eskortës së presidentit Bujar Nishani, duke shkaktuar disa dëmtime. Makina e parë është përplasur me një automjet tjetër që ishte duke lëvizur në rrugë, një “Benz” me targa gjermane që pas verifikimeve ka qenë me dokumente të rregullta. Makina e eskortës është përplasur në krahun e shoferit.

Të njëjtat burime policore pohuan, se automjeti që është bërë shkak i aksidentit, nuk ka parë shenjën e policisë për të ndaluar, ndërsa eskorta ka qenë duke dalë nga vila presidenciale.

Drejtuesi i makinës së parë të eskortës është lënduar lehtë. Pas aksidentit eskorta e Presidentit Bujar Nishani ka vazhduar rrugën në drejtim të Tiranës.
Burime nga policia e Durrësit kanë bërë të ditur se, nuk ka person të ndaluar në lidhje me këtë ngjarje.

Ky është aksidenti i dytë i eskortës së Presidenti. Në 14 shtator të vitit 2012, një prej makinave shoqëruese të presidentit u përfshi në një aksident në Peqin, ku humbi jetën një gardist dhe një tjetër u lëndua. -/Shqiptarja/