Lajme Shqip Thursday, 24 May 2012 17:44

Tiranë – Dy vajzat e plagosura në aksidentin që ndodhi pasditen e së hënës në Himarë nisen drejt Austrisë. Avioni sanitar, i cili transporton Florije Peçi dhe Eriselda Gubere ka lënë aeroportin e Rinasit rreth orës 17:00 për t’iu drejtuar Vjenës, ku të plagosurat do te marrin nje mjekim të nevojshëm të specializuar.

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili dhe Drejtori i Spitalit Ushtarak, Bedri Mihja përcollën vajzat në aeroportin e Rinasit. Mësohet se Florije Peçi gjatë aksidentit ka marrë dëmtime të rënda në shtyllën kurrizore dhe në tru, ndërsa Eriselda Gubere është dëmtuar në 4 vertebra të shtyllës kurrizore dhe në veshka. Dy vajzat janë në gjendje kome, që prej 21 majit, ditën kur ndodhi edhe aksidenti tragjik, në urën e Vishës, i cili i mori jetën 13 personave, mes të cilëve 11 studente të Universitetit ‘Aleksandër Xhuvani”.

Pas apelit dhe interesimit të veçantë dhe të vazhdueshëm të kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili, ambasada austriake në Tiranë dhe Raifaiesen Bank mundësuan kurimin e tyre në klinika të specializuar në Austri.  (LajmeShqip.com)