Lajme Shqip Friday, 25 March 2011 11:15

Lezhë – Një aksident me pasojë vdekjen e një shtetaseje italiane, e moshës 75 vjeçe, ndodhi rreth një orë më parë në aksin rrugor Lezhë-Shkodër.
Sipas zëdhënësit të shtypit të policisë së Lezhës, Armando Ndoka, aksidenti ndodhi në kryqëzimin e fshatit Gocaj, ku si rezultat i përplasjes së dy automjeteve, ka humbur jetën Rita Sisti, 75 vjeç, me aktivitet murgeshë në qytetin e Lezhës.
Makina me të cilën udhëtonte murgesha italiane, Fiat Punto me targa italiane dhe që drejtohej nga Alma Zogu, edhe kjo murgeshë në Lezhë, u përplas me një autoveturë tjetër të tipit Fiat, me targa LE 8363 A, e cila drejtohej nga 27 vjeçari Kreshnik Marku, banues në Lezhë.
E aksidentuara është transportuar me shpejtësi në Spitalin Rajonal të Lezhës, por megjithë ndërhyrjen e mjekëve specialistë, ajo ka ndërruar jetë. Policia vazhdon hetimet për të zbuluar shkaqet e kësaj ngjarjeje.