Lajme Shqip Thursday, 14 April 2011 13:50

Në një nga restorantet në Drenas, ku ishin mbledhur shumë qytetarë, kryetari i Frontit për Bashkimin Kombëtar Shqiptar për Kosovë, Ismail Bajraktari tha se pikërisht para shtatë vjetëve, “trimat e AKSH-së zbriten nga malet e Kosmaqit për të mbrojtur dhe rikthyer atë që shqiptarëve i është marrë prej shekujsh”.

“Ka ardhur koha që të publikohet hapur ideali i FBKSH dhe AKSH për ribashkimin e trojeve shqiptare. Do të vazhdojmë deri në fund, derisa të bëhet Shqipëria londineze”, theksoi Bajraktari.

Përfaqësuesi i FBKSH nga niveli kombëtar, Sali Bytyçi kritikoi Qeverinë e Kosovës, e cila, sipas tij, nuk ka bërë sa duhet për Kosovën. Ai shfaqi brengën e tij për atë se Mitrovica ka mbetur e ndarë në dy pjesë, ndërsa kritikoi edhe EULEX-in, për arrestimet ish-pjesëtarëve të UÇK-së, raporton zëri.

“Aty, në Mitrovicë nuk po bëhet as regjistrimi i popullsisë, çka neve na jep të kuptojmë se e ashtuquajtur qeveri i ka çuar duart nga ky vend. Ende nuk kemi status të definuar të ushtarëve të UÇK-së, po bëhen plot arrestime nga EULEX-i, vetëm për ta dëmtuar luftën e pastër të tyre, që si për qëllim kishin çlirimin nga okupatori”, theksoi ai.

Sipas Bytyqit, Kosova, por edhe Shqipëria kanë një politikë që për synim kanë interesin personal dhe jo atë kombëtar.