Lajme Shqip Wednesday, 18 June 2014 18:38

Rinumërimi i votave në të gjitha kutitë e votimit, të dala nga procesi zgjedhor i 8 Qershorit, është i pashmangshëm. Kjo për faktin se pothuajse në të gjitha kutit e votimit, rezultati zgjedhorë është manipuluar. Ky fakt pranohet edhe zyrtarisht nga Komisioni Qendror Zgjedhor, që deri më tani ka vendosur që rreth 500 kuti votimi, t’i dërgoj në rinumërim. 

Ndërkohë që pritet që edhe qindra kuti të tjera votimi, që pritet të auditohen, të kthehen në rinumërim duke iu ofruar kështu gjysmës së vendvotimeve ne rinumërim, që tregojnë haptas se është manipuluar vullneti i votuesve. Siç shihet nga të dhënat paraprake zyrtare, është Aleanca Kosova e Re, ajo që është dëmtuar më së shumti nga ky proces i parregullt i numërimit të votave. 

Sipas të dhënave të dala nga auditimi i kutive të dyshimta të votimit, AKR del të jetë parti që ka marr rreth 10 për qind të votave dhe jo më pak se 5 për qind sa thuhet në rezultatet të bazuar në të dhënat e manipuluara nga komisionerët e papërgjegjshëm. Me këtë rast AKR, që deri më tani në çdo kuti të audituar ka pas të paktën 10 për qind të votave, shpreh shqetësimet e saj lidhur me mbarëvajtjen e procesit të numërimit të votimit, që ka rezultuar me keqpërdorim të vullnetit të votuesve, respektivisht votës së subjektit politik Aleanca Kosova e Re. 

Andaj AKR, edhe një herë kërkon nga Komisioni Qendror Zgjedhor, që të marrë vendim për rinumërim të plotë të të gjitha fletëvotimeve në tërë territorin e Kosovës, dhe jo vetëm kutit e votimit, ku manipuluesit e votave nuk kanë qenë të aftë të fshehin krimin e tyre. Aleanca Kosova e Re, këtë kërkesë do ta mbështesë edhe me faktet që janë mbledhur përmes anëtarëve të vet në KVV, të cilat flasin për parregullsi gjatë numërimit dhe bartjes së rezultateve në Formularin e përputhjes se të dhënave dhe rezultateve, nga të cilat shihet se votat e AKR-së u janë bartu subjekteve të tjera politike. 

Rinumërimi i plotë i fletëvotimeve do të eliminonte edhe pakënaqësitë që tashmë kanë filluar të dalin në shesh nga kandidatët dhe ankesat e tyre për manipulim të votave të brendshme. Aleanca për Kosovë të Re do të angazhohet që të respektohet në tërësi vullneti i secilit votues, pavarësisht rezultatit që mund ta kenë subjektet politike, në këtë rast edhe AKR, duke ndërmarr kështu të gjitha masat ligjore, që vota e qytetarëve të besuar për AKR-në të mos manipulohet.