Lajme Shqip Monday, 25 February 2013 13:05

Tirane – Aleanca Kuqezi ka nisur në qytetin e Përrenjasit një valë protestash që do të shtrihet në të gjithë vendin. Protestat e Aleancës Kuqezi synojnë rrëzimin e kryeministrit Berisha përpara zgjedhjeve të 23 qershorit.

Sipas drejtuesve të AK, nëse nuk largohet Berisha nuk do të mund të realizohen zgjedhje të lira dhe demokratike në qershor.

Duke iu referuar qytetit ku nisi këtë valë protestash, Kreshnik Spahiu tha se mbylli qeveria minierat duke rrënuar pasurinë kombëtare të qytetarëve të Përrenjasit dhe të mbarë shqiptarëve në të gjithë vendin.

Duke e cilësuar këtë qeveri si qeveri të “bixhozxhinjëve”, Spahiu akuzoi ministrat e kabinetit qeveritar për shpenzime marramendëse nëpër kazino të parave të shqiptarëve.

“Ka me qindra minatorë të cilët marrin jo më shumë se 10 mijë lekë apo 100 euro pension pa patur status, shumë prej tyre nuk marrin as asistencën e cila iu takon, shumë prej tyre nuk e dinë që ministrat tanë bixhozxhinjë lënë nga 50 mijë euro në natë në kazinotë e Tiranës, Selanikut, Athinës apo Malit të Zi për djersën e gjakut të cilën ua vjedhin cdo ditë”, tha zoti Spahiu.

Duke u ndalur më tej të zhvillimet e fundit politike në vend, Spahiu komentoi edhe rikthimin në skenën politike të Eduard Selamit.

“Para disa ditësh në zyrën e shtetasit Berisha shfaqet një refugjat i cili quhet Eduard Selami. E pyeti, Eduard ku ke qenë këto kohë? Në Amerikë? Po çfarë ke bërë? Kam eksperiencë në lavazhet amerikane. Bravo i tha, do të të coj në qytetin që e kam shkatërruar, në qytetin që mbylla minierat dhe mbusha me lavazhe që të sjellësh eksperiencën e lavazheve.

Protestat e Aleancës Kuqezi do të kulmojë pas 2 muajve në kryeqytet.(T.CH/LajmeShqip.com)