Lajme Shqip Monday, 26 November 2012 16:25

Prishtinë – Kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, ka prezantuar sot në Prishtinë nismën më të fundit të kuqezinjve “Peticionin për mbajtjen e referendumit për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën”. Spahiu i ka bërë apel mbarë kombit shqiptarë që të bëhen pjesë e nismës së Aleancës Kuq e Zi dhe të firmosin peticionin në Morinë, nismë kjo që do të pasohet nga kërkesa për referendumin për bashkimin e dy shteteve shqiptare.

“Peticioni do të nisë të nënshkruhet me 28 Nëntor në kufirin Shqipëri-Shqipëri, aty ku para 100 vitesh shqiptarët u ndanë aty do të nisë bashkimi për realizimin e aspiratës shekullore të kombit shqiptarë për bashkim”,- deklaroi Spahiu. Duke shpjeguar detaje të tjera mbi nismën e Aleancës Kuq e Zi Kreshnik Spahiu bëri të ditur se peticioni që do të firmoset nga miliona shqiptarë do t’i dorëzohet dy parlamenteve në Tiranë dhe Prishtinë, të cilët do të duhet të votojnë për referendumin popullor për bashkim.

“Populli do të votojë bashkimin e dy Shqipërive. Peticioni do të shkelë në të gjithë qytetet, fshatrat, komunat dhe lagjet e shqiptarëve. Aleanca Kuq e Zi i bën thirrje ndërkombëtarëve që të monitorojnë procedurat, hapat dhe gjithçka lidhet me nismën e Aleancës Kuq e Zi”,- deklaroi Kreshnik Spahiu nga Prishtina. Kreu i AK-së ka denoncuar atë që e ka quajtur dështim të Berishës dhe Thaçit për realizimin e bashkimit të shqiptarëve, që sipas tij nuk mund të bëhet me deklarata sporadike vetëm në raste festash.(LajmeShqip.com)