Lajme Shqip Sunday, 02 September 2012 11:49

Tiranë – Kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu thirri sot departamentin Juridik me juristët dhe ekspertët e ligjit për të komunikuar nisjen e fushatës “Fytyrat e krimit”. Spahiu bëri të ditur se AK-ja do të hetojë dhe përgatisë dosjen penale për çdo politikan apo funksionar të lartë të shtetit, që sipas tij, kryen krime.

”Parlamenti i ri Kuq e Zi si dhe qeverisja e kuqezinjve pas pak muajsh do i japin fund amnistisë që demokratët dhe socialistët i bënë njëri tjetrit. 8 vite qeverisje demokratësh nuk u ndëshkua asnjë socialist dhe 8 vite socialistësh nuk u ndëshkua asnjë demokrat. Për këto arsye Aleanca Kuq e Zi ka vendosur të nis me dosjen e parë penale që i përket shtetasit Sali Berisha për veprën penale të parashikuar nga;
* Neni 208 i Kodit Penal
* Dorëzimi i Territorit
* Dorëzimi plotësisht apo pjesërisht i territorit të një shteti apo fuqie të huaj, me qëllim për të cënuar pavarësinë dhe integritetin e vendit, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
* Neni 210 i Kodit Penal
* Marrëveshja për Dorëzim Territori
* Marrëveshja e bërë me fuqi apo shtete të huaja për dorëzim pjesërisht ose tërësisht të territorit apo të forcave të armatosura e materialeve mbrojtëse, me qëllim për të cënuar integritetin e vendit, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.”- deklaroi Spahiu, duke i kërkuar departamentit juridik dhe ekspertëve që ta përgatisin dosjen e kryeministrit Berisha përpara 100-vjetorit të pavarësisë.

“Shqipëria ka nevojë të aplikojë për modelin kroat që dërgoi në bankon e të akuzuarve ish-kryeministrin Sanader si precedent besimi për t’iu hapur dyert në procesin e integrimit Europian”.- vijoi më tej kreu i AK-së.

Sipas Aleancës Kuq e Zi, kjo nismë do të vazhdojë të zbatohet për çdo ministër, deputet, kryetar bashkie, komune demokrat dhe socialist që sipas AK-së ka kryer vepra penale.(LajmeShqip.com)