Lajme Shqip Tuesday, 11 September 2012 18:23

Prishtinë – Paqja ndërmjet Kosovës e Serbisë nuk bëhet vetëm përmes nënshkrimit të ndonjë marrëveshjeje, por me ndryshimin e qasjes së popujve dhe udhëheqësve të të dyja palëve ndaj njëri-tjetrit, tha të martën në Prishtinë, ish-i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaari.

Në një fjalim që mbajti gjatë një konference të zhvilluar një ditë pas përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, fituesi i Çmimit Nobel për Paqe shprehi bindjen se nga 11 shtatori po hapet një kapitull i ri që, siç tha ai, mund të shërbejë në përmirësimin e raporteve ndërmjet vendeve në rajon.

“Paqja nuk nënkupton harrimin e së kaluarës nga Kosova e Serbia, por pranimin se e ardhmja e tyre mund dhe duhet të jetë ndryshe. Ky është një mësim për diplomacinë ndërkombëtare se suksesi i vërtetë nuk mund të gjendet në sallën e negociatave ose në nënshkrimin e marrëveshjes. Ai mund të gjendet në sjelljen e njerëzve-të ministrave, zyrtarëve e fqinjëve të përjetshëm. Ne duhet të flasim më pak për arritjen e paqes si rezultat dhe më shumë për sjelljen dhe qasjen ndaj paqes”, tha ai.

Diplomati finlandez tha se Bashkimi Evropian paraqet një mundësi të mirë për arritjen e paqes, ndërsa e cilësoi të pashmangshëm integrimin e Kosovës në këtë mekanizëm.

“Kosova është këtu dhe Bashkimi Evropian duhet ta përfshijë atë në masat e saja politike dhe ekonomike. Nëse nuk bëhet kjo, do të mbetet një problem permanent për themelet e rajonit evropian”, u shpreh ai.

Ahtisaari theksoi rëndësinë për fuqizimin e politikave të jashtme të BE-së. Ai e quajti të padobishëm një Bashkim Evropian që do të ishte i unifikuar vetëm në çështjet e brendshme dhe i ndarë në çështjet diplomatike.

Duke folur për përpjekjet e autoriteteve kosovare në përmbushjen e kritereve për integrim evropian, Ahtisaari tha se Kosova duhet të jetë një tregim suksesi i BE-së.

“Shpresoj që të gjithë anëtarët e BE-së të kuptojnë se Kosova duhet të respektohet si pjesë e partnerëve evropianë”, theksoi hartuesi i planit me të cilin do të vendoseshin bazat e themelit të shtet-ndërtimit.

Ai konsideroi se është e pamundshme që Kosova t’i ndryshojë raportet me Brukselin, por tha se mund të ndryshojë domethënien dhe fuqinë e atyre raporteve.(LajmeShqip.com)