Lajme Shqip Monday, 06 May 2013 10:45

Shkup – Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka theksuar se shqiptarët janë të interesuar që Maqedonia sa më shpejt të gjejë mënyrë dhe rrugë për ndryshimin e emrit, gjë e cila sipas tij nuk i pengon shqiptarët që kanë qenë , janë dhe do të jenë në këto troje. 

Këtë e theksoi kryetari i BDI-së në takimin me diasporën shqiptare në Çikago të SHBA-ve. Ahmeti i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Musa Xhaferri, kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti dhe kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari kanë zhvilluar takime me Komunitetin Shqiptaro – Amerikan të shtetit Illionis, duke qenë nikoqir të këtij komuniteti. 

Ahmeti në takimin me komunitetin ka folur edhe mbi zhvillimet në Maqedoni, çështjet dhe sfidat e shqiptarëve si dhe nevojën e integrimit të rajonit në strukturat euroatlantike. 

“Ne vazhdimisht jemi të angazhuar për avancimin e çështjes shqiptare dhe realizimin e të drejtave të barabarta. Ky proces është i vështirë, por po ecën rrugën e tij. Inkuadrimi i Maqedonisë në strukturat euroatlantike është çështje me prioritet për BDI, sepse me këtë do të krijohen kushte për demokratizimin e vendit dhe Ballkanit si dhe kushte të reja për punësime dhe siguri”, theksoi Ahmeti, duke komentuar edhe çështjen e ngecjes së zgjidhjes së kontestit të emrit me Greqinë, transmeton ina. 

Sipas tij, shqiptarët janë të interesuar që të arrihet një rrugë dhe mënyrë për ndryshimin e emrit, sepse kjo nuk pengon shqiptarët që kanë qenë, janë dhe do të jenë në këto troje. 

Ahmeti ka faleminderuar të gjithë mërgimtarët kërçovarë për ardhjen e tyre masive për fitoren e Kërçovës në zgjedhjet e fundit lokale.