Lajme Shqip Tuesday, 07 May 2013 12:07

Shkup – Me fjalimin në Shkollën për studime ndërkombëtare në Universitetin Xhons Hopkins, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, e filloi qëndrimin treditor në Uashington, në kuadër të së cilit duhet të ketë takime me funksionarë dhe këshilltarë në Stejt departamentin amerikan, Sekretariatin për mbrojtje dhe Kongresin e SHBA-së.

Ahmeti, dha pikëpamje optimiste ndaj Ballkanit, veçanërisht pas marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë dhe u angazhua për tejkalimin e çështjes për emrin dhe kompletimin e integrimeve euro-atlantike në rajon, raporton Zhurnal.

“Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe do të ishim shumë të gëzuar nëse fillon negociata me Bashkimin Evropian, për çka nevojitet sjellja e vetëm dy ligjeve. Kosova duhet të njihet dhe të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe pas negociatave për heqjen e vizave të fillojnë edhe negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Për shqiptarët e Maqedonisë, nevojitet zbatim i tërësishëm i Marrëveshjes së Ohrit, të jenë të barabartë me maqedonasit. Sot është koha e pajtimit përfundimtar midis popujve të Ballkanit, të 100-vjetorit të luftërave të përgjakshme në Ballkan, kur të gjithë ishim viktima, edhe shqiptarët edhe maqedonasit, edhe të tjerët. Nëse kanë mundur Franca dhe Gjermania ta heqin kufirin mes vete, në vende ku mijëra fëmijë janë vrarë në luftërat mes tyre, pse të mos mundemi edhe ne? Kam thënë se, nëse dëshirojmë Shqipëri të madhe, atë mund ta kemi vetëm në Bashkimin Evropian, nga Athina deri në Stokholm”, deklaroi Ahmeti, në pyetjen për atë se ku e sheh ardhmërinë e shqiptarëve në rajon.