Lajme Shqip Tuesday, 12 April 2011 15:42

Shkup – Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti në bisedën për Televizionin A1, ka thënë se BE në vazhdimësi ka bërë përpjekje që Republikën e Maqedonisë ta ndihmojë në proceset euro-integruese dhe porositë e tyre, siç erdhën nga zyrtarët e lartë të BE-së Hoze Manuel Baroso dhe Shtefan Fyle gjatë vizitës së fundit në Ohër, “kanë qenë jashtëzakonisht të rëndësishme ku dhe duhet të kuptohen si porosi qëllimmira dhe miqësore për vendin”.

“Ky vend për të pasur stabilitet, paqe dhe siguri, mbase duhet që të gjejë një kompromis me Republikën e Greqisë dhe ne si shtet të mos vonohemi. Unë e theksova edhe gjatë këtij takimi që Maqedonia duhet të bëjë kompromis, të gjejë zgjidhje, sepse vetëm kështu mund të garantohet e ardhmja e sigurt e vendit. Nuk flas këtu, pa u keqkuptuar për qeveritë e vendeve fqinje, por brenda vendeve fqinje ka grupacione politike që nuk janë aq të lumtura që Maqedonia të ecë drejt rrugës së anëtarësimit në NATO dhe në BE”, ka thënë Ahmeti.

Në pyetjen nëse është e saktë se Gruevski pas kthimit nga Uashingtoni ka dhënë premtime në Shtëpinë e Bardhë se me Ahmetin do ta zgjidhë çështjen e emrit në mandatin e ardhshëm, ai me konstatim se, “nuk ka informacione të tilla”.

”Mendoj që SHBA-të janë të interesuar që kjo çështje të zgjidhet dhe ne do të jemi ata që do ta ndihmojmë pa rezerva këtë proces kaq të rëndësishëm për Republikën e Maqedonisë, do të thotë sa i takon çështjes së emrit, sepse po të mbyllet ky problem Republika e Maqedonisë të gjitha rrugët drejt anëtarësimit në NATO dhe të fillimit të bisedimeve për në BE i ka të hapura”, ka thënë më tej Ahmeti.

Sipas tij, SHBA-të nuk bëjnë diplomaci të fshehur, janë shumë transparent, sepse jo njëherë, por disa herë kanë inkurajuar që, “ne të kemi më shumë vullnet, më shumë guxim që ta mbyllim këtë çështje”.

“Unë nuk dua të bëhem as avokat i z.Nikolla Gruevskit, por nga të gjitha takimet që unë i kam pasur brenda këtyre dy vite e gjysmë edhe z. Gruevski është i interesuar që këto çështje të zgjidhen. Por, mendoj që nga asnjë subjekt politik apo Shoqatë joqeveritare e kështu me radhë, çështja e emrit të mos keqpërdoret për qëllime politike, grupore, do të thotë unë nuk kam vërejtur veprime që çojnë në drejtim të kundërt”, ka shtuar ai.

Nëse është i mundur rindërtimi i ndonjë konfederate të re ose shoqëri të vogël evropiane e Ballkanit, të gjithë së bashku, Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Serbia, minus Kroacia dhe Sllovenia, sipas Ahmetit, bashkëpunim rajonal duhet të ketë, në veçanti në mes Republikës së Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi, Shqipërisë, duke filluar për nga infrastruktura, konfiguracioni i vendeve tona të gjitha burimet, ujërat, do të thotë janë të lidhura në mes veti dhe këto duhet të forcohen, duhet të begatohen edhe më shumë.

Ai ka thënë se Maqedonia punon shumë seriozisht në drejtim të Korridorit 8 si edhe në drejtim të hekurudhës Kërçovë-Qafë Thanë, rrugës Kërçovë-Dibër, gjithashtu edhe atë të rrugës Shkup – Bllacë, gjithashtu edhe në korridorin 10.