Lajme Shqip Sunday, 24 July 2011 15:43

Tetovë – Me shpalosjen e pllakës përkujtimore në qendër të fshatit Sllatinë dhe homazheve të bëra tek varrezat e dëshmorëve, është mbajtur manifestimi përkujtimor në dhjetëvjetorin e rënies së dëshmorëve të kombit: Mirtezan Etemi, Burim Huseini dhe martires së vogël Adelina Arifi.

Në këtë manifestim ka marrë pjesë edhe kreu i BDI-së dhe drejtues tjerë të lartë të ish-UÇK-së.  Ali Ahmeti, i cili në fjalimin e tij ka rikujtuar ditë të vështira të konfliktit të vitit 2001, tha se lufta kishte për qëllim barabarësinë e shqiptarëve në Maqedoni dhe jo marrjen e të drejtave të të tjerëve.

“Asnjë nga ne nuk luftoi për të marrë të drejtat e dikujt, por me të drejtat tona nuk bëmë majtap, sepse janë të drejta të cilat i kemi fituar me gjak dhe aty ku derdhet gjaku është emblema  e UÇK-së dhe është gjaku i dëshmorëve. Dëshmorët, jo vetëm në vite jubilare dhe vite të rënies, ata në kujtesë të kombit duhet qenë përherë”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

“Aspirata e shqiptarëve për të gëzuar lirinë e plotë kombëtare në Maqedoni ka qenë ëndërr e kahmotshme e shumë brezave dhe personaliteteve të cilët pa ndërprerë kanë rrezatuar dinjitetin kombëtar. Ky gjakim i përvuajtur merr vulën e vet nga shumë atdhetarë, nga shumë mësues e personalitete të idealeve të ndryshme, të cilët duke njohur paraprakisht këtë mungesë lirie e barazie, tërë jetën e tyre do e vënë në funksion të kombit. Pikërisht me këto vlera ishin gatuar idealet e dëshmorëve të kombit, të cilët në momentin e duhur iu përgjigjën ftesës për të sakrifikuar jetën e tyre për të mirën e këtij populli”, tha  Mujdin Abazi,  ish komandant i UÇK-së.
Manifestimi është përmbyllur me një program të pasur kulturo-artistik të shoqërisë ‘Jehona’ e Malësisë së Sharrit.