Lajme Shqip Saturday, 24 March 2012 19:30

Prishtinë-Lëvizja Vetëvendosje është kundër çfarëdo zgjedhjeve serbe në Kosovë dhe shpallja e tyre nga ana e Serbisë tregon se kjo e fundit nuk e ka ndërmend ta ndryshojë qasjen ndaj Kosovës, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Shpend Ahmeti, nënkryetar i parë i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Arsyetimi se gjoja zgjedhjet parlamentare mund të mbahen, sepse ka serbë këtu që kanë shtetësi të dyfishtë, do të ishte i mundur vetëm në rrethana normale, kur Republika e Serbisë e njeh shtetin e Kosovën dhe i thotë Kosovës se i kam disa shtetas që jetojnë në Kosovë dhe a do të mund të na ndihmoni që të organizoni zgjedhje që ata të marrin pjesë”, ka deklaruar Ahmeti.

Ai ka thënë se Institucionet e Kosovës duhet, si gjithmonë, ta respektojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Ata i kanë në dispozicion të gjitha mjetet institucionale që të parandalojnë mbajtjen e këtyre zgjedhjeve”, por ka shtuar se dyshon se edhe kësaj radhe, institucionet e Kosovës, posaçërisht Qeveria, do të reagojnë në mënyrë të duhur. Qeveria ka treguar se lëshon pe, prandaj sot Beogradi nuk thotë ne i falënderohemi Kosovës për zemërgjerësinë e saj në dialog, por thotë në i kemi fituar të gjitha këto koncesione me kokëfortësinë tonë”, ka thënë Ahmeti.

Duke folur për mundësinë e evoluimit të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në bisedime politike, Ahmeti ka thënë se dialogu ka qenë politik që nga fillimi dhe tani po shtohen zërat, sepse po vjen në radhë një diskutim tepër i rëndësishëm për veriun e Kosovës.

“Të gjitha argumentet po tregojnë se strategjia e Serbisë dhe një pjese të bashkësisë ndërkombëtare është që të shkohet drejt një dialogu për veriun. Rreziku është tepër i madh, sepse nuk rrezikohet Kosova me ndarje, por rrezikohet me një autonomi speciale për veriun, e cila çon drejt ndarjes etnike të Kosovës dhe një shteti jofunksional”, ka thënë Ahmeti.