Lajme Shqip Friday, 01 April 2011 20:57

Tetovë – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti ka pritur të premten në takim pune ambasadorin e Shteteve te Bashkuara të Amerikës, Filip Riker. Situata politike, mbarëvajtja e zgjedhjeve te parakohshme parlamentare, implementimit i Marrëveshjes se Ohrit, rrugëtimi i Maqedonisë drejt integrimeve evro-atlantike, marrëdhëniet ndëretnike, situata e sigurisë në vend dhe rajon dhe aspekte tjera të jetës politike në vend, kanë qenë temat të cilat i ndanë bashkëbiseduesit.

Kryetari Ahmeti, ka njoftuar ambasadorin Riker për zhvillimet politike në vend, raportet me partitë tjera politike në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. “Ahmeti informoi Rikerin per angazhimet permanente në drejtim të krijimit të kushteve për zgjedhje të lira, fer, demokratike dhe të pranueshme, duke vlerësuar edhe kontributin dhe ndihmën që SHBA-të dhe ambasadori Reeker kanw ofruar në këtë drejtim në mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale të vitit 2009”, thuhet në komunikatën e BDI-së.

Bashkëbiseduesit më tej kanë ndarë mendimin se vendit i nevojiten zgjedhje të lira, fer, demokratike dhe të pranueshme, çdo tentative për prishje të këtyre kritereve rrezikon të ardhmen euro-atlantike të Maqedonisë dhe qytetarëve të saj.

Ambasadori Riker dhe kryetari Ahmeti në prag të 10 vjetorit të arritjes së Marrëveshjes paqësore të Ohrit vlerësuan ecurinë e implementimit të kësaj Marrëveshje, dokument ky i pranuar ndërkombëtarisht, i përkrahur dhe i garantuar nga qendrat e vendosjes SHBA, NATO dhe UE. Ata diskutuan edhe për raportet ndëretnike, marrëdhëniet me fqinjët, zhvillimin ekonomik dhe çështje tjera te natyrës politike, kulturore, sociale, etj.

Ndryshe, dy bashkëbiseduesit theks të veçantë i kanë dhënë arritjes sa më të shpejtë të një kompromisi të pranueshëm mes Maqedonisë dhe Greqisë duke nënvizuar, se: “Republika e Maqedonisë nuk ka alternativë tjetër pos integrimeve euro-atlantike”.