Lajme Shqip Wednesday, 27 July 2011 22:09

Prishtinë – Bashkimi i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) dënon ashpër sulmin ndaj gazetarit të televizionit Klan Kosova, Bojan Bozhoviq, në veri të Kosovës.

Bozhoviq u sulmua fizikisht nga përfaqësues të strukturave paralele serbe, ndërsa po raportonte për ngjarjet e fundit në veri, duke iu shkaktuar lëndime trupore. Po ashtu, atij i është thyer kamera. AGPK konsideron se çdo veprim i tillë është ndërhyrje direkte në punën e gazetarëve, gazetarinë e pavarur dhe lirinë e shprehjes.

AGPK iu bën thirrje përfaqësuesve të institucioneve kompetente për ruajtjen e rendit dhe ligjit që të ndërmarrin të gjitha masat për sigurimin e një ambienti të favorshëm për punën e gazetarëve, garantimin e lirisë së shprehjes dhe ushtrimin e lirë të profesionit të gazetarit.