Lajme Shqip Tuesday, 21 February 2012 12:38

Pas disa muajsh ndërprerjeje këtë të martë do të fillojnë negociatat mes Beogradit dhe Kosovës, e cila para 4 vjetësh shpalli pavarësinë.

Në një analizë të zhvillimeve të fundit agjencia gjermane e lajmeve DPA shkruan se delegacionet e të dyja palëve pritet të gjejnë një zgjidhje për përfaqësimin e Kosovës në konferencat ndërkombëtare. Kompromisi për këtë çështje është kërkesë qendrore e Bashkimit Evropian ndaj Beogradit, i cili deri më tani ka bojkotuar të gjitha takimet multinacionale, nëse në to kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Prishtinës.

Sipas DPA-së, propozimi që ka bërë Bashkimi Evropian për zgjidhjen e problemit të përfaqësimit të Kosovës paraqet një kundërthënie në vetvete. Në tabelën me emrin e Kosovës do të ketë dy fusnota, njëra e deklaron Kosovën si pjesë të Serbisë, tjetra nënvizon pavarësinë e saj.

DPA-ja nënvizon se ndërmjetësi i BE-së, Robert Cooper, deri më tani ka njoftuar për disa kompromise, por menaxhimi i përbashkët i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë është aq i komplikuar, saqë nuk do të mund të zbatohet edhe për një kohë të gjatë. Edhe qarkullimi i lirë i mallrave do të mbetet një ëndërr.

DPA-ja shkruan më tutje se Serbia nuk ka plotësuar asnjë kërkesë të BE-së që nga samiti i dhjetorit, kur asaj iu refuzua statusi i kandidatit. “Praktikisht nuk është përmbushur asnjë kërkesë, por janë ndërtuar disa fshatra të Potemkinit”.

Qëllim i kësaj politike të Brukselit dhe të shumë vendeve të BE-së, sipas DPA-së, është që Serbia të marrë statusin e vendit kandidat. DPA-ja përkujton se ditëve të fundit misioni i BE-së në Kosovë, EULEX, dhe trupat e NATO-s (KFOR) njoftuan se barrikadat e ngritura nga serbët në verë në veri të Kosovës tashmë janë hequr.

Po ashtu, sipas këtyre organizatave, pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë të hapura. Lajmi erdhi tamam me kohë, sepse Brukseli kërkon nga Beogradi të mundësojë qarkullimin e lirë të KFOR-it dhe EULEX-it. Por, sipas DPA-së, ata që kanë ngritur barrikadat dhe autoritetet e komunave serbe në veri të Kosovës menjëherë i kanë përgënjeshtruar këto njoftime. Bllokimi i rrugëve vazhdon, shkruan DPA-ja.

Kjo agjenci po ashtu rikujton se Bashkimi Evropian kishte deklaruar se Serbia ka bërë “hapa shumë të mëdhenj” në reformimin e sistemit të korruptuar gjyqësor. Por, sipas DPA-së, ishte gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung”, e cila në fund të dhjetorit citonte një raport konfidencial të ekspertëve juridikë të Komisionit Evropian, ku pjesë të reformës së kryer në Serbi quheshin “shembull shkollor për përqeshjen e drejtësisë”.

Në këtë raport po ashtu kritikohej ndikimi i politikës në drejtësinë serbe. Me gjithë këto fakte, duket se BE-ja është e gatshme t’ia hapë portat Serbisë.