Lajme Shqip Wednesday, 16 March 2011 14:44

Prishtinë – Ministri i Forcës së Sigurisë në Qeverinë e Kosovës,  Agim Çeku, edhe të mërkurën i ka vazhduar vizitat e tij nëpër komuna për t’i inkurajuar të rinjtë, sidomos ata serbë, që të inkuadrohen në FSK.

 

Ministri Çeku kërkoi nga të rinj serbë të Gracaniçës që të përfshihen në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Gjatë një vizite në këtë komunë, ai tha se të rinjtë kanë vullnet, por atyre iu mungon përkrahja e familjeve dhe liderëve të tyre politikë.

 

“Vullneti ekziston tek të rinjtë, por mungon mbështeja politike e familjeve të tyre, e të afërmeve të tyre, e liderëve politikë të tyre. Unë u sigurova nga kryetari i Komunës se do të bëjë përpjekje dhe mbështetja e tij nuk do të mungojë në inkurajimin e këtyre të rinjve që të jenë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, tha ministri i FSK-së, Agim Çeku, pas takimin që pati me kryetarin e Komunës së Graçanicës.

 

Ministri Çeku bëri të ditur se disa dhjetra të rinj serbë janë paraqitur për  t’u rekrutuar, mirëpo kriteret janë të njëjtë për të gjithë aplikantët.

 

Në këtë fazë do të pranohen 300 pjesëtarë të rinj në FSK, ndërsa konkursi do të jetë I hapur deri me 21 mars.

 

Sa iu përket planeve të FSK-së për siguri dhe strehimore në rast të fatkeqësive natyrore, ministri Çeku tha se është detyrë kushtetuese e FSK-së që t’u ofrojë siguri të gjithë qytetarëve të vendit.