Lajme Shqip Tuesday, 08 September 2015 13:06

Koalicioni i Agim Bahtirit nga Aleanca Kosova e Re me Lidhjen Demokratike të Kosovës në Mitrovicë, duket po i numëron ditët e fundit.

Në prapavijë gjërat janë duke ecur shpejt drejt lidhjes së një koalicioni të ri të AKR-së me PDK-në, por zyrtarisht kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri nuk e ka konfirmuar prishjen e koalicionit më LDK-në.

“Nuk ka ende konkrete asgjë, ende mbesim me të vjetrën”, tha Bahtiri kur u pyet nga KALLXO.com rreth koalicionit.

As kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicë, Avni Kastrati, nuk e ka konfirmuar lidhjen e koalicionit me AKR-në, por e ka lënë një derë të hapur se diçka mund të ndodhë.

“PDK është e hapur për bashkëpunim më të gjitha subjektet, asnjëherë nuk ka qëndrim përjashtues por ndihmues dhe kështu do të jetë gjithmonë për të mirën e qytetarëve”, tha Kastrati.

Jozyrtarisht, burime të KALLXO.com bëjnë të ditur se në rast të lidhjes me AKR-në, PDK do ta marrë nënkryetarin e komunës edhe katër drejtori komunale: Drejtorinë e Arsimit, atë të Shëndetësisë, Inspekcionin dhe Drejtorinë për Kulturë, Rini e Sport.

Partnerët e rinj të koalicionit nuk e përjashtojnë mundësinë që të vazhdojë bashkëpunimi në qeverinë komunale edhe me LDK-në “por me njerëz të tjerë”, pasi që Bahtiri duket të jetë i pakënaqur me performansën e drejtorëve aktualë nga LDK.

KALLXO.com ka provuar të marrë një prononcim edhe nga zyrtarët e LDK-së në Mitrovicë, po një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Por ish kryetari i degës së kësaj partie në Mitrovicë, Sadri Ferati, tha se nuk përjashtohet mundësia e prishjes së koalicionit në nivëel lokal në Mitrovicë.

“Zyrtarisht me LDK-në nuk kanë folë kurgjo. Nuk përjashtohet asgjë. Vetë fakti se shumë po flitet në qytet edhe anash, nuk po flitet asgjë”, tha Sadri Ferati, ish kryetar i degës së LDK-së në Mitrovicë.

Mësohet së marrëveshja për koalicion ndërmjet AKR-së dehe PDK-së pritet të nënshkruhet deri në fund të kësaj jave.

Në garën për kryetar të komunës në zgjedhjet lokale të vitit 2013, Agim Bahtiri kishte mundur pikërisht Avni Kastratin e PDK-së.