Lajme Shqip Friday, 22 July 2011 15:51

Prishtinë – Republika e Afrikës Qendrore është bërë shteti i 77 që e njeh pavarësinë e Kosovës. Kredencialet tashmë i kanë mbërritur Qeverisë së Republikës së Kosovës ka bërë të ditur për portalin LajmeShqip.com një nga këshilltarët e kryeministrit Hashim Thaçi. Ai ka thënë se lajmin për këtë të arritur do ta publikojë zëvendëskryeministri i parë, Behgjet Pacolli, në një konferencë shtypi që do ta mbajë sot në orën 17.00, në ndërtesën e Qeverisë.

Paralajmërimi për konferencë është dërguar tashmë nga Zyra e Kryeministrit. Në ftesën bër mediave thuhet se temë e konferencës do të jetë “Procesi i njohjeve për Republikën e Kosovës dhe zhvillime të tjera”.

Pacolli është i ngarkuar i Qeverisë me çështjen e lobimit dhe prej se ka marrë këtë detyrë aktivitetin e tij lotues e ka përqendruar kryesisht në Afrikë. Megjithëkëtë, prej se ka marr mandatin e dytë, Qeveria ka sjellë vetëm edhe një njohje pos kësaj të Republikës së Afrikës Qendrore – atë të Principatës së Andorrës.

Republika e Afrikës Qendrore ndodhet në qendër të kontinentit afrikan, në Afrikën ekuatoriale. Ajo popullohet nga rreth 4 milionë banorë dhe ka për kryeqytet Banguin. Republika ndahet në 14 provinca, 2 prefektura dhe një distrikt.

Ky shtet në veri kufizohet nga Çadi, më tutje kufizohet me Sudanin, Republikën Demokratike të Kongos, Republikën e Kongos dhe me Kamerunin. (LajmeShqip.com)