Lajme Shqip Friday, 14 September 2012 14:33

Tiranë – ‘Lamtumirë kryekomisar! Vepra jote nuk do të vdesë kurrë’, ishin fjalë që kolegë dhe miq thanë mbi arkivolin ku shtrihej trupi i shefit të komisarit  të Shijakut, Adem Tahiraj, 49-vjeç.

Nën muzikën funebre në sallën e e Shtëpisë Qëndore të Ushtrisë u shfaqën personalitete të rëndësishme të vendit që shtrënguan duart dhe ngushëlluan familjarët e kryekomisarit. Në ceremoninë e homazheve u vu re prania e kryeministrit Berisha, kryeparlamentares Jozafina Topalli si dhe kreut të opozitës Edi Rama që shoqërohej nga një grup deputetësh socialistë.

Homazhet pritet të përfundojnë në orën 16:00, kurse  në ora 16.00’-17.00’ mbahet ceremonia e varrimit pranë Varrezave të Dëshmorëve të Kombit. Pas dhënies se lamtumirës, koleget do vijojnë me vizita tek familjarët e punonjësit të policisë të rënë në krye të detyrës kryekomisar Adem Tahiraj

BERISHA HETIM KRIMIT MAKABËR, TË VIHET DREJTËSIA NË VEND
Kryeministri Sali Berisha vizitoi mesditën e sotme, familjen e kryekomisarit të vrarë dje Adem Tahiraj. Shefi i qeverisë duke dënuar aktin kriminal i shprehu ngushëllimet e tij familjes Tahiraj, teksa theksoi se në dhimbjen e tyre bashkohet e gjithë Shqipëria. “U shpreh ngushëllime familjarëve. Këtë dhimbje e ndani me të gjithë shqiptarët. Dhimbje e madhe për efektivët e policisë, shtetin. Humbja shumë e rëndë për familjen dhe për të gjithë “,- tha Berisha. 

Kryeministri duke nënvizuar se humbja e Tahirajt nuk kompensohet me asgjë theksoi se shteti do bëjë gjithcka për të vënë drejtësinë në vend. “Do bëhet gjithçka që drejtësia dhe ligji të thonë fjalën e tyre. Të hetohet çdo aspekt dhe detaj i këtij krimi makabër”,- theksoi Berisha.

Ngjarja
Ngjarja shumë e rëndë ndodhi pasditen e djeshme në Katund Sukth të rrethit të Durrësit. Shefi i Komisariatit të Shijakut është vrarë me armë zjarri teksa kryente detyrat e tij. Shefi i Komisariatit të Policisë së Shijakut Adem Tahiraj sapo kishte dalë nga një mbledhje në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Durrësit ku më pas kishte zbritur menjëherë në bazë për të zbatuar detyrat e shtruara në mbledhje. Bëhej fjalë për një plan masash që synonte arrestimin e personave që qarkullojnë me armë pa leje.

Gjatë tentativës për të kontrolluar një automjet ku gjendeshin disa të rinj, komisari është qëlluar për vdekje me breshëri automatiku në automjetin e tij. Më pas, autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes me automjetin e tyre. Sipas burimeve bëhet e ditur se në momentin e ngjarjes sëbashku me komisarin gjendeshin shoferi i tij si dhe një efektiv policie me shërbim në atë zonë. Burime pranë policisë thanë se para ngjarjes, Tahiraj ka patur një debat me Ledio Krasniqin, një 18-vjeçar, nip të fisit Xhakaj në Sukth.

Pasi ka nisur kontrolli me të rinjtë e makinës së ndaluar ku gjendej Ledio Krasniqi, ka mbërritur një makinë e dytë nga e cila është qëlluar me breshëri zjarri. Ilir Xhakja ka qëlluar në drejtim të makinës së policisë ku për pasojë ka mbetur i vdekur në vend shefi i komisariatit të policisë së Shijakut Adem Tahiraj në një kohë që vartësit e tij fatmirësisht nuk kanë pësuar asnjë dëmtim nga plumbat. Më pas makina me të rinjtë është larguar nga vendi i ngjarjes. Dy efektivët kanë njoftuar Drejtorinë e Policisë së Durrësit për atë që kishte ngjarë në Katund Sukth. Po ashtu u mësua se plumbat kishin qëlluar edhe një grua të moshuar, 67-vjeçaren Lene Ndoja që po kalonte pranë vendit të ngjarjes.

Kryekomisar Adem Tahiraj u shpall të premten “Dëshmor i Atdheut”, pasi u vra në krye të detyrës mbrëmjen e 13 shtatorit. Kryekomisar Adem Tahiraj, 49 vjeç, baba i tre fëmijëve, ka kryer një sërë funksionesh si shef i njësisë operative në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, shef i Komisariatit të Policisë Shijak, etj. Gjatë gjithë viteve të punës si punonjës policie në strukturat operacionale të rendit dhe sigurisë publike, të policisë kriminale dhe të shefit të komisariatit të policisë, është karakterizuar nga disiplina e lartë në përmbushjen e detyrës, për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike, në luftën pa kompromis kundër elementeve kriminalë, si dhe është dalluar për marrëdhënie të mira me komunitetin, me kolegët dhe eprorët. (LajmeShqip.com)