Lajme Shqip Wednesday, 10 August 2011 17:48

Tiranë – Dita e 17-të që minatorët vazhdojnë grevën e urisë, ndërsa situata në Bulqizë ka qenë e tensionuar pas bllokimit të aksit rrugor, për shkak të dështimit të takimit me përfaqësues të kompanisë “ACR”.

Policia ka mundur të zhbllokojë rrugën dhe lëvizja e automjeteve është normalizuar. Kushtet në minierë janë përkeqësuar duke vënë në rrezik jetën e minatorëve dhe jashtë minierës janë mbledhur me qindra qytetarë, familjarë të grevistëve.

Sipas specialistëve, në minierë është shtuar lagështira dhe minatorët grevistë mezi mbushen me ajër. Administratori i kompanisë “ACR”, Giga Bedineishvili ka konfirmuar se takimi me minatorët do të zhvillohet së shpejti, por nuk ka përcaktuar ditën dhe vendin e saktë.

Kjo kompani kishte propozuar që ditën e sotme të zhvillohej takimi në zyrat e saj në Tiranë rreth orës 11:00, por ky takim u refuzua nga minatorët, pasi ata kërkojnë që takimi të zhvillohet në Bulqizë. (LajmeShqip.com)