Lajme Shqip Thursday, 08 September 2011 11:43

Tiranë (PLOTËSUAR 17:30) – Kompania koncensionare ACR paralajmëroi sot punonjësit e minierës së Bulqizës se të hënën e 12 shtatorit, ora 7:00, do të fillojë puna në minierë, duke deklaruar se “nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i interesave të biznesit të një grupi të vogël njerëzish të udhëhequr nga Kol Nikolla”.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp,  ACR shprehet se  përveçse ka plotësuar të gjitha kërkesat e minatorëve, ka qenë e gatshme të bisedojë në çdo kohë me ta.
Duke ftuar të gjithë minatorët të kthehen në minierë ditën e hënë, firma koncesionare deklaron se “punonjësit e ACR-së, të cilët nuk do të paraqiten në pozicionet e tyre përkatëse do të konsiderohen që nuk dëshirojnë të punojnë në këtë kompani”.

Në njoftim sqarohet që personat që dëshirojnë të vazhdojnë të punojnë për kompaninë ACR duhet të raportojnë praninë e tyre në administratën e ACR në Bulqizë, ku dhe do të pajisen me kontratat e reja individuale.

“Këto kontrata do të bazohen në kontratat aktuale me disa modifikime si, paga neto e rritur me 20%, e drejta për kushte të mira pune të vazhdueshme dhe e drejta për tu informuar për planet e investimeve në minierë”, deklaron ACR.

Kompania shton gjithashtu se për të lehtësuar gjendjen e vështirë financiare të punonjësve dhe familjeve të tyre si pasojë e kësaj greve të jashtëligjshme, ACR do t’u paguaj minatorëve rrogën e 13-te brenda javës së ardhshme.

Më tej, ACR sqaron se për të mirën e përbashkët të kompanisë dhe minatorëve të Bulqizës ranoi të ulej në bisedime edhe me drejtuesit e sindikatës, të cilët janë krijuesit e kësaj situate të vështirë.

“Pavarësisht të gjitha përpjekjeve të ACR, asnjë marrëveshje nuk është realizuar me krerët e sindikatave.Ashtu si dyshohej, lidershipi i sindikatave ka treguar edhe njëherë mos dashjen e pa arsyeshme për zgjidhjen e situatës”, theksohet në deklaratën për mediat.
Në këto kushte ACR deklaron se “ka vendosur të ndërpresë çdo komunikim efektiv me kreun e sindikatave pasi çdo hapësirë negocimi me këtë grup aventurieresh është konsumuar”.

*********************************

Tiranë (PLOTËSUAR 14:47) – Zhvillime pozitive drejt arritjes së marrëveshjes ndërmjet minatorëve të Bulqizës dhe firmës Albanian Crom ACR. Kjo, pasi gjatë mbrëmjes së djeshme, Kreu i Konfederatës së Industrisë Taf Koleci, është takuar në ambientet e firmës “ACR” me përfaqësuesen e kësaj firme, Marta Lula, për të diskutuar mbi kërkesat e minatorëve, të cilët nga ana e tyre e kundërshtuan këtë vizitë, sepse në mbledhje duhet të ishin prezent dhe përfaqësues të minatorëve, bënë me dije burime pranë firmës austriake ACR.

Megjithatë, edhe pse pati polemika, mbledhja u realizua dhe mbas shumë diskutimeve, u vendos që paga e minatorëve të rritet me 20 %, përfitimin e pagës gjatë kohës kur minatorët kanë qenë në grevë urie, investimet në galeri, por edhe një rrogë plus në fund të vitit.

Por përsëri kompania koncesionare e minierës së Kromit në Bulqizë nuk ka pranuar që të zëvëndësohet përfaqësuesi, apo administratori i firmës ACR në Bulqizë.

Mosrealizimi i këtij kushti, ka sjellë  debate në radhët e minatorëve, të cilët nuk e firmosën marrëveshjen, duke e lënë të hapur rrugën për takime dhe diskutime të tjera në këtë drejtim.

Ndërkaq, në pritje të një marrëveshjeje, minatorët kanë vijuar protestën e tyre, përpara zyrave të ACR, e cila në ofertën e fundit të bërë, përveç të tjerave, thekson që nënshkrimin e marrëveshjes do ta realizojë një nga drejtuesit e kësaj kompanie, Rudolf Skache Depish, ndërsa është pranuar që kjo marrëveshje të firmoset dhe nga kreu i industrisë Taf Koleci, që nuk ishte lejuar më parë.

Ky i fundit gjatë mëngjesit të ditës së mërkurë, së bashku me komisionin e grevës, vendosën që një përfaqësi e minatorëve të takohet me kreun e bashkisë së Bulqizës, Roland Keta, për të diskutuar në lidhje me propozimin e ri të kompanisë ACR dhe për të përcaktuar nëse do të ketë marrëveshje apo vazhdim të protestave.

Protestat kanë nisur më shumë se tre muaj më parë, kur minatorët e gjigantit të kromit në Bulqizë, të përkrahur nga kreu i konfederatës së minatorëve, Kol Nikolla, vendosën të bojkotonin punën për të kërkuar rritje rroge 20-40 për qind, kushte më të mira pune, uljen e moshës së pensionit dhe largimin nga detyra e përfaqësuesit të firmës koncesionare ACR.

***********************************

Tiranë – Minatorët e Bulqizës kanë vijuar sot sërish protestat, edhe pse kompania koncensionare ACR ka deklaruar se ka pranuar disa nga kërkesat e tyre.

Sipas minatorëve, kompania nuk i ka plotësuar të gjitha kushtet, pasi kjo e fundit nuk ka pranuar t’ua paguajë minatorëve ditët e grevës dhe sigurimet shoqërore.

Kreu i sindikatës së minatorëve të Bulqizës, Dilaver Përkoxha, ka deklaruar për mediat se minatorët do të presin deri të hënën që kompania ACR të plotësojë të gjitha kërkesat e tyre, në të kundërtën ata nuk do t`i dërgojnë fëmijët në shkollë.

Ndërkohë takimi i djeshëm mes përfaqësueses së ACR-së dhe kreut të Konfederatës së Industrisë, Taf Koleci, përfundoi pa sukses.

Pas takimit, minatorët deklaruan se kompania nuk ka potësuar të gjitha kushtet, ndërsa kjo e fundit u ka premtuar atyre vetëm 1 muaj pagesë për grevën dhe ndërprerjen e punës, rritjen e pagës në masën 20%, investime në minierë dhe përmirësim të kushteve të punës. Gjithashtu mbetet e paplotësuar kërkesa e minatorëve për largimin e drejtorit të minierës Medat Zogu.

Minatorët gjithashtu i kanë bërë thirrje parlamentit shqiptar që të shprehet për situatën e krijuar, ndërsa kanë kërcënuar se nëse nuk do të arrihet një marrëveshje do të risinin grevën e urisë.

Protestat kanë nisur më shumë se tre muaj më parë, kur minatorët e gjigantit të kromit në Bulqizë, të përkrahur nga kreu i konfederatës së minatorëve, Kol Nikolla, vendosën të bojkotonin punën për të kërkuar rritje rroge 20-40 për qind, kushte më të mira pune, uljen e moshës së pensionit dhe largimin nga detyra e përfaqësuesit të firmës koncesionare ACR.