Lajme Shqip Thursday, 20 October 2011 20:48

Tiranё – Firma Koncesionare e minierës së kromit në Bulqizë, Albanian Crom, më anë të një njoftimi për shtyp bën me dije se Presidentja e kompanisë ACR, Skatsche Depisch, shpreh hidhërimin e saj të thellë për humbjen e punonjësit të ACR Naim Shyti.

Depisch i përcjell ngushëllimet e sinqerta familjes Shyti dhe shpreh mbështetjen e saj dhe të kompanisë ACR jo vetëm në këto momente të vështira por edhe në të ardhmen. Ajo gjithashtu është e interesuar për gjendjen e punonjësve të plagosur dhe iu uron atyre shërim sa më të shpejtë.

Përfaqësues të kompanisë ACR po ndjekin çdo ditë nga afër gjendjen shëndetësore të punonjësve të plagosur që gjenden në spitalin e Bulqizës dhe në Spitalin Amerikan të Tiranës.

Përsa i përket rrethanave të aksidentit tragjik, ACR sqaron se ka përmbushur të gjitha urdhëresat e dhëna nga METE dhe i është përmbajtur Akt-Inspektimeve të RISHM në veprimtarinë e saj për kthimin e minierës në kushte pune. Deri tani ACR është në pritje të raportit përfundimtar të RISHM për rrethanat që shkaktuan aksidentin tragjik. ACR ka vënë në dispozicion të grupit hetimor dokumentacionin e nevojshëm dhe ka krijuar të gjitha lehtësitë për hetimin e kësaj çështje. RISHM në bashkëpunim me strukturat e ACR kanë marrë masa dhe po bëjnë eliminimin e avarisë. Edhe pse ACR është e bindur se ka vepruar brenda të gjitha urdhëresave dhe raporteve të mëparshme do të jetë në pritje të një raporti përfundimtar për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.