Lajme Shqip Tuesday, 09 August 2011 14:06

Tiranë – Takimi i shumëpritur i minatorëve të Bulqizës, me përfaqësuesit e kompanisë ACR, nuk u mbajt as sot. Ai pritet të zhvillohet të mërkurën, në orën 11:00.

Burime zyrtare të ACR konfirmuan se takimi, i cili ishte njoftuar se do të zhvillohej ditën e martë pasdite në Bashkinë e Bulqizës, do të zhvillohet nesër paradite, në kryeqytet.

Në takim, ashtu siç ishte parashikuar, është ftuar të marrë pjesë Roland Keta, Kreu i Bashkisë së Bulqizës, i cili pritet të ketë rolin e kryenegociatori. Ndërkohë që rikonfirmohet mos prania në takim e kreut të Konfederatës, Kol Nikolla dhe kreut të Sindikatës së Minatorëve, Taf Koleci.

Kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Roland Keta, në një intervistë për mediat, deklaroi se “praninë time në takimin që do të zhvillohet nesër në Tiranë, do ta konfirmoj pas takimit me minatorët”.

Minatorët që ndodhen në ditën e 16-të të grevës së urisë, pritet të diskutojnë në takimin e ditës së nesërme në lidhje me kërkesat e tyre, rritja e pagës me 40 për qind, kushte më të mira pune, uljen e moshës së pensionit, si dhe largimin nga detyra të administratorit të kompanisë ACR.