Lajme Shqip Tuesday, 07 February 2012 21:00

Prishtinë- Në Kosovë po vazhdojnë reshjet e dendura të dëborës dhe moti i keq me temperatura deri në minus 22 gradë celcius.

Prishina po përballet edhe me mungesën e ngrohjes dhe në këtë situatë Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka aktivizuar sistemin e ngrohjes alternative me naftë.

Universiteti i Prishtinës sot ka shtyrë të gjitha aktivitetet akademike deri më 13 shkurt dhe të gjitha shkollat  në Kosovë kanë ndërprerë mësimin për herë të dytë gjatë stinës së dimrit dhe do vazhdojnë të jenë të mbyllura gjatë gjithë javës, për shkak të dëborës dha acarit të madh.

Rrugët nga Peja në drejtim të Kullës, kufirit me Malin e Zi dhe drejt Rugovës janë të bllokuara, ndërsa rrugët e tjera nacionale dhe rajonale kalohen me vështirësi. Nga komuna të ndryshme njoftohet për bllokime fshatrash e rrugësh lokale me shumë dëborë.

Njësi të Forcës së Sigurisë së Kosovës vazhdojnë të jenë të angazhuara në operacionet për zhbllokimin e rrugëve të mbyllura nga dëbora nga mëngjesi i sotëm, në Podujevë dhe në një fshat të banuar me serbë në komunën e Fushë Kosovës.

Duke pasur parasysh kushtet e vështira atmosferike, EULEX-i njoftoi marrjen e masave për të zvogëluar konsumin e energjisë elektrike duke përdorur gjeneratorë, që të ndihmohet kështu rrjeti elektrik të vendit.

Ndërkohë, Koorporata Energjetike e Kosovës njofton se po prodhon deri në 800 megavat/orë, por kjo nuk është e mjaftueshme ndaj apeloi për kursimin e energjisë elektrike. (LajmeShqip.com)