Lajme Shqip Tuesday, 12 April 2011 12:35

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti sot Komandantin e Komandës së Aleancës për Transformim, Gjeneralin e Forcave Ajrore, Stefan Abrial, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë.

Gjatë takimit, Kreu i Shtetit, njëkohësisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe ndihmesën e gjithanshme të NATO-s dhënë vendit tonë, kryesisht në fushën politike dhe ushtarake, si dhe në konsolidimin e Forcave tona të Armatosura, për të qenë njësi elitare përkrah misioneve të partnerëve të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Duke vlerësuar të rëndësishme vizitën e funksionarit të lartë ushtarak të aleancës më të madhe politike-ushtarake në botë për forcimin e marrëdhënieve të vendit tonë me NATO-n, Presidenti i Republikës bëri një përshkrim të shkurtër të reformimit e të modernizimit të FA shqiptare në përmbushje të detyrimeve dhe standardeve që burojnë nga anëtarësimi i vendit tonë në NATO.

“Dy vjet pas momentit historik të aderimit të Shqipërisë me të drejta të plota në NATO, FA ndihen më të angazhuara për të vazhduar misionin në dobi të arritjeve të reja për paqen dhe sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit, familjes euroatlantike dhe më gjerë”, u shpreh Presidenti.

Komandanti i Komandës së Aleancës për Transformim, Gjenerali i Forcave Ajrore, Stefan Abrial, vlerësoi arritjet pozitive dhe reformimin e FA shqiptare, në përpjekjet për përmbushjen e të gjitha detyrimeve si anëtare e NATO-s, si dhe për kontributin pozitiv të Shqipërisë dhe forcave paqeruajtëse shqiptare në kuadër të misioneve në Bosnje, Irak dhe së fundmi në Afganistan.

Gjithashtu, Gjenerali Abrial siguroi mbështetjen e mëtejshme nëpërmjet realizimit të projekteve e misioneve konkrete, duke nënvizuar se “Shqipëria është një anëtare e rëndësishme dhe e denjë e Aleancës, e cila me rolin e saj konstruktiv e moderator ndikon drejtpërdrejt në ruajtjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajonin ballkanik”.