Lajme Shqip Friday, 21 August 2015 08:02

Ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka urdhëruar rishikimin e lëndëve të Defrim Rifajt dhe Kujtim Dulës, dy zyrtarëve të kësaj ministrie, të dënuar në një rast trafikimi, shkruan sot Koha Ditore.

Para dy ditësh gazeta ka botuar një artikull lidhur me mossuspendimin e drejtorit të Departamentit të Punësimit, Defrim Rifaj, pavarësisht hetimeve penale që janë zhvilluar ndaj tij, si dhe faktit që është shpallur fajtor në një rast trafikimi.

Abrashi ka paralajmëruar masa konform Ligjit mbi shërbimin civil.

“Kam konsultuar sekretarin e Ministrisë si zyrtar përgjegjës për stafin civil në lidhje me këtë rast. Në këtë kuadër kemi konstatuar se nevojitet një auditim i lëndës së zyrtarëve që ju i jeni referuar në artikullin tuaj”, ka thënë ai.

“Në bazë të gjetjeve të auditorit dhe opsioneve në dispozicion, sekretari obligohet që në respektim të ligjit të marrë masat që kërkon legjislacioni në fuqi’, ka thënë ai.

Ministri Abrashi nuk ka dhënë përgjigje konkrete se cilat janë masat që do t’i marrin por, ka thënë se ligji e cakton shumë qartë se cilat janë ato veprime dhe se secili zyrtar duhet të dijë se ka përgjegjësi.

“E rëndësishme është që ligjet në fuqi mbulojnë mirë këtë tematikë, ndërsa duhet bërë e qartë që personat në pozicione drejtuese në administratë, mbajnë përgjegjësi profesionale dhe tjetër, si për veprim ose mosveprim”, ka thënë Abrashi.