Lajme Shqip Tuesday, 22 March 2011 15:06

Prishtinë – Pacolli mund të fle i qetë sa i përket nismës së AAK-së, në opozitë, për ta paditur në Gjykatën Kushtetuese për shkak të shkeljes së dokumentit më të lartë juridik të vendit, Kushtetutës së Kosovës. LDK s’e ka mbështetur nismën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkohë që ky refuzim, bëhet e ditur se po i ndanë përfundimisht rrugët midis këtyre dy subjekteve politike në opozitë, kanë bërë të ditur burime të portalit lajmeshqip.com.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tërhiqet nga iniciativa e saj për dërgimin e lëndës në Gjykatën Kushtetuese për rastin e votimit të presidentit Behgjet Pacolli për Qeverinë e Kosovës.

AAK, nuk ka arritur të sigurojë 30 nënshkrime të deputetëve, për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese lëndën lidhur me votimin e presidentit Behgjet Pacolli për Qeverinë e Kosovës.

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini,  tha se  pasi që partia e tij nuk kishte arritur të sigurojë nënshkrimet e mjaftueshme, dhe pasi në këtë ka dështuar edhe mbledhja e nënshkrimeve edhe nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, tërhiqet përfundimisht nga kjo iniciativë. Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se nënshkrimet e deputetëve të partisë së tij, nuk janë dhënë për shkak se kjo parti është në pritje të përgjigjes për lëndën që e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese, rreth mënyrës së zgjedhjes së presidentit të vendit.

Mustafa tha se deri në përgjigjen ndaj kësaj lënde nuk mund ta mbështesin një iniciativë tjetër.

Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës me përkrahje dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kohë më parë kishte siguruar nënshkrimet e nevojshme që ta dërgoj në Gjykatën Kushtetuese lëndën, ku e konteston mënyrën e zgjedhjes së presidentit të vendit.

Burime të lajmeshqip.com bëjnë të ditur se këtu po nis edhe ndarja e rrugëve midis dy subjekteve politike në opozitë, të afërta midis tyre deri më tani. Mosmbështetja nga LDK-ja, brenda AAK-së ka filluar të shihet si dyfytyrësi politike e partnerit me të cilin, dikur kishin udhëhequr bashkë qeverinë.