Lajme Shqip Friday, 01 April 2011 09:34

Prishtinë – “Dje, para dyerve të Kuvendit të Kosovës ushtrimi i dhunës ndaj qytetarëve të Kosovës dhe gazetarëve, ka treguar qartë se durimi i qytetarëve të vendit ka humbur nga mungesa e një vizioni të qeverisë”. Kështu ka thënë deputetja nga radhët e AAK-së, në opozitë, Donika Kadaj-Bujupi, në një konferencë shtypi, të premten, në Prishtinë.

Sipas saj, politika e pakujdesshme, korrupsioni dhe krimi që e kanë thelluar tejmase gjendjen e rëndë sociale të qytetarëve, dje rezultoi me dhunë dhe pakënaqësi.

“Këto veprime po e rrezikojnë stabilitetin e vendit dhe po tregojnë që kjo qeveri pa legjitimitet ka përshkallëzuar krizën institucionale, duke i nxjerrë problemet nga parlamenti dhe qeveria, në rrugë”, ka potencuar ajo.

Si burim të shkeljeve të vazhueshme dhe mosrepsektimit të vullnetit qytetar dhe akteve juridike në vend, Kadaj-Bujupi e ka cilësuar pikërisht mosrespektimin e Kushtetutës së Kosovës nga vetë udhëheqësit më të lartë të vendit.

“Shkelja e vazhdueshme e ligjeve dhe Kushtetutës nga vetë Qeveria ka krijuar pakënaqësi sociale, fillimi i të cilave ishte dje”, tha ajo.

“Dje, po ashtu, për të satën herë, në forma të ndryshme u tentua të minimizohet problemi përmes ngulfatjes së mediave. Pushteti ushtroi dhunë ndaj tyre. Pamjet e tilla dhe sjelljet e qeverisë dje në Kuvendin e Kosovës dëmtuan rëndë edhe një herë ekonominë e vendi dhe mirëqenien e qytetarëve. Po të njëjtën kohë pamjet e dhunës ndaj qytetarëve dhe me theks të veçantë ndaj mediave, thelluan edhe më shumë dëmin që i është bërë Kosovës në vazhdimësi, në imazhin ndërkombëtar, nga Qeveria Thaçi”, është thënë në këtë konferencë shtypi të partisë opozitare në Kosovë, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

AAK ka ofruar si rrugëdalje nga e gjithë kjo, ftesën për rikthimin e plotë të rendit kushtetues në vend, respektimin e dokumentit më të lartë juridik të Republikës së Kosovës, mosndërhyrjen dhe presionin mbi deputetët e zgjedhur, mbi organet e drejtësisë, mediat dhe sindikatat e punëtorëve.

“Vetëm kështu i shëptojmë institucionet dhe demokracinë në vend, e rikthejmë imazhin e mirë të Republikës së Kosovës në botë dhe besimin e qytetarëve tanë në institucionet e vendit”, ka thënë deputetja aleanciste.

Donika Kadaj-Bujupi ka ritheksuar se AAK sërish nuk do ta votojë Behgjet Pacollin për president të vendit, por ka dhënë mendimin e saj prej deputeteje, se AAK, kësaj radhe, duhet të jetë prezente në senacën parlamentare.