Lajme Shqip Friday, 08 April 2011 10:21

Prishtinë – Anëtarja e Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Melihate Tërmkolli, ka dhënë sot vërejtjet dhe pakënaqësitë e partisë së saj lidhur me procesin e regjistrimit të popullsisë dhe të pronave në Kosovë.

 

Tërmkolli ka thënë se “është jashtëzakonisht e papërgjegjshme që kryeministri i vendit të abstenojë dhe të mos e japë as edhe një deklaratë, deri më tani, rreth këtij procesi kaq jetik për Kosovën, që prej shpalljes së pavarësisë”.

 

Sipas saj, ndër parregullsitë kryesore, evidente në këtë proces, janë mosregjistrimi i pronës së njerëzve dhe i fëmijëve nën moshën 15-vjeçare, të cilët jetojnë jashtë vendit.

 

Gjithashtu, Tërmkolli ka folur edhe për temën e “dezertimit” të shumë regjistruesve nga ky proces dhe vakuumin që po shkaktohet, kur një i angazhuar e lë punën e tij në regjistrimin e popullisisë.

 

Sipas kësaj zyrtareje të AAK-së, në Suharekë është shfaqur problemi tjetër në këtë process, pas bursgosjes së kryetarit të kësaj komuneje, Blerim Kuçit.

 

“Qytetarët e Suharekës po refuzojnë të regjistrohen, pasi që kryetari i Komunës nuk është prezent në krye të punës së tij, kur dihet që secili kryetar komune është edhe Kryetar i Komisionit për Regjistrimin e Popullsisë në Komunë”.