Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 14:04

Prishtinë – Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në mbledhjen e sotme e vlerësoi si të thelluar krizën politike në Kosovë.

Nënkryetari i parë i kësaj partie, Blerim Shala, rikonfirmoi sot bindjen se prania dhe lidershipi i z. Ramush Haradinaj po i mungon Kosovës në këto procese shtetndërtuese dhe konsoliduese të vendit.

Ai ka rikonfirmuar edhe qëndrimin e AAK-së “se situata e tashme mund të tejkalohet përmes respektimit të plotë të Kushtetutës së Kosovës, krijimit të koncensusit politik në Kosovë dhe përgatitjes së mirë politike dhe teknike të proceseve të ardhshme”.

Shala ka ftuar udhëheqjen politike të Kosovës për inicimin e Tryezës Politike të të gjitha subjekteve politike parlamentare, me qëllim të gjetjes së koncensusit për zhvillimet e ardhshme. Koncensusi është i arritshëm, por për këtë duhet vullnet politik duke vendosur interesin e shtetit mbi të gjitha.

Ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës dhe i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, sipas Nënkryetarit të Parë të AAK-së, “janë të domosdoshme për stabilizimin afatgjatë të skenës politike të vendit, e cila është e dëmtuar rëndë me zgjedhjet e manipuluara parlamentare të dhjetorit të vitit të kaluar”.

Duke i dhënë përkrahje Grupit Parlamentar të saj, kjo parti tha se “për veprimet e deritashme në Kuvendin e Kosovës, Kryesia e AAK-së vlerëson që procedimi i votimit për Presidentin e Kosovës në Kuvendin e Kosovës, pa arritur paraprakisht koncensusin midis subjekteve politike në Tryezën Politike, do ta çonte vendin në një rrugë tepër të rrezikshme, me pasoja të paparashikueshme për Kosovën”.

Githashtu, kjo parti ka rikujtuar se “ideja për inicimin e Tryezës Politike është dhënë nga Kryetari Haradinaj në pjesën e parë të vitit 2010, dhe është ripërsëritur më 8 shkurt 2011 nga Këshilli Drejtues i AAK-së”.