Lajme Shqip Tuesday, 26 July 2011 11:10

Prishtinë – I tërë spektri politik në Kosovë po i jep mbështetje aksionit të Policisë së Kosovës, të urdhëruar nga Kryeministri Thaçi, për të vendosur kontrollin në pikat kufitare 1 dhe 31, në veri të vendit.

Pak çaste më parë, këtë e ka kurajuar subjekti më i zëshëm opozitar kundër Thaçit, Lëvizja Vetëvendosje, ashtu sikur më pas edhe subjekti tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

“Duke pasur parasysh nevojën jetike për rivendosjen e kontrollit shtetëror legjitim në atë pjesë të Kosovës dhe posaçërisht në pikat kufitare-doganore 1 dhe 31, vlerësojmë se operacioni i Policisë së Kosovës duhet të rezultojë me krijimin e mundësisë për zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve në veri të vendit”, thuhet në kumtesën e AAK-së.

“AAK inkurajon Qeverinë e Kosovës që me vendosmëri të përfundojë operacionin policor në veri të Kosovës, në mënyrë që atje të vendoset siguria publike dhe qytetarëve të asaj pjese t’u sigurohet të drejtat e njeriut. Kujdesi i shtuar dhe profesionalizmi në realizimin e operacionit është tejet i rëndësishëm për ruajtjen e jetës së qytetarëve të Kosovës në atë pjesë dhe oficerëve policorë. Ne çmojmë vullnetin e oficerëve të Njësive Speciale të Policisë për detyrën ndaj vendit, duke qenë të bindur në përgatitjet e larta fizike dhe profesionale të tyre. Në të njëjtën kohë, AAK fton Qeverinë e Kosovës që të koordinojë plotësisht aktivitetet e veta me KFOR-in, si garantues i sigurisë së përgjithshme të vendit”, thuhet në kumtesë. (LajmeShqip.com)