Lajme Shqip Saturday, 04 February 2012 10:00

Prishtinë-Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar nga qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa konkret drejt integrimit të veriut të Kosovës dhe konsolidimit të pushtetit lokal atje.

Anëtari i kryesisë Besnik Tahiri tha se pas miratimit në Kuvend të rezolutës për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë  ka ardhur koha që të ketë një strategji integruese për veriun dhe veprime konkrete atje.

Ai tha se qëndrimi i partisë së tij është i qartë, për veriun duhet të ketë zgjidhje që buron nga Kushtetuta dhe Pakoja e Ahtisarit.

Gjithashtu AAK, ka kritikuar komunën e Prishtinës për dështimin në ofrimin e shërbimeve për qytetarët, pas reshjeve të borës, gjatë këtyre ditëve.

Tahiri ka thënë se më 31 janar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën, e cila ndër të tjera synon përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës.

Sipas tij, duke pas për bazë veprimin e shpejt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ndërmarrjen e hapave konkretë drejt integrimit të veriut të Kosovës dhe konsolidimit të pushtetit lokal atje.

“AAK konsideron se Qeveria e Kosovës duhet të kërkoj që si pjesë e pakos së përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur të mbahen zgjedhjet e lira dhe demokratike në komunat e veriore të Republikës së Kosovës dhe që sa më shpejt të përcaktohet data e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve në mënyrë që të dalin institucionet demokratike dhe legjitime atje”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka thënë se AAK-së i vjen mirë që me vonesa të shumta, Qeveria e Kosovës e ka kuptuar se për integrimin e veriut të Kosovës duhet të ketë një strategji integruese. (LajmeShqip.com)