Lajme Shqip Tuesday, 15 November 2011 16:15

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka shprehur pakënaqësinë e saj për mënyrën e ndarjes së buxhetit për arsim, për vitin e ardhshëm. Ekspertët e kësaj partie, kanë evidentuar edhe probleme të tjera në fushën e arsimit, që sipas tyre janë dështim i qeverisjes aktuale.

Eksperti për arsim nga radhët e AAK-së, Jonuz Salihaj, tha se buxheti i ndarë për arsimin, në projektbuxhetin e vitit 2012, diskriminon komunat që nuk udhëhiqen nga PDK-ja. Sipas tij, rreth 150 milion euro janë paraparë për komunat ku qeveris koalicioni aktual, ndërsa komunat e tjera, duke përfshirë edhe kryeqytetin, do të kenë vetëm 104 milion euro.

Salihaj paraqiti edhe shumë probleme të tjera me të cilat po ballafaqohet arsimi në Kosovë. Ai përmendi ligjin e sistemit para universitar dhe kornizën e kurrikulumit, të cilat janë miratuar, por ende nuk kanë filluar zbatimin. Gjithashtu, Salihaj ka fokusuar ndërhyrjen e politikës në sistemin arsimor, sidomos në emërimin e drejtorëve nëpër shkolla dhe në proçesin e regjistrimit në Universitet.