Lajme Shqip Monday, 07 September 2015 15:43

Albin Kurti dhe Ilir Deda ka rreth dy muaj që nuk komunikojnë me njëri tjetrin, kanë bërë të ditur burime të lajmi.net, brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Arsye për këtë thuhet të jenë qëndrimet publike të deputetit Deda, të cilat nuk përkojnë me vijën politike të lëvizjes së themeluar nga Kurti.

Albin Kurti, lider de-fakto i Lëvizjes Vetëvendosje, në rrugëtimin disavjeçarë të këtij subjekti politik ka ndërtuar një ideologji e cila deri sot nuk është kundërshtuar thuajse nga askush brenda organizatës. Ose më sakët, ata që kanë dal kundër kësaj ideologjie, kanë dalë edhe nga subjekti politik.

I fundit që po sfidon konceptin politik të Albin Kurtit, është deputeti Ilir Deda, i anëtarësuar pak më shumë se një vit në Lëvizjen Vetëvendosje.

Deda, ish pjesëtarë i shoqërisë civile, dhe dikur edhe themelues i partisë me koncept politik liberal, Fryma e Re, përgjatë kësaj periudhe të shkurtër në Vetëvendosje, disa herë ka kundërshtuar konceptin ekstrem të politikbërjes në këtë subjekt.

Ai sot ka guxuar edhe të kundërshtoj një nga shtyllat bazë të formatit politik të Vetëvendosjes, protestat e dhunshme.

Deda ka thënë se “heqja me dhunë e rrethojave të objektit të ekzekutivit nuk është pasqyrë e mirë për Kosovën”.

Por kjo nuk është hera e parë kur Deda del hapur kundër vijës politike të partisë së tij.

Ai për dallim nga bashkëpartiakët e tjerë, kishte një qëndrim më liberal edhe ndaj Gjykatës Speciale, moment i cili edhe ka pasuar me prishjen e raporteve mes Dedës dhe Kurtit, ka thënë burimi i lajmi.net brenda Lëvizjes Vetëvendosje.

Deda kërkonte që të gjindet një kompromis dhe të themelohej një Gjykatë Speciale vendore, e modelit siç e ka Kroacia, Bosnja e Serbia, dhe Kosova vet t’i gjykonte krimet e supozuara të UÇK-së.

Ish drejtori i KIPRED-it dhe ish bashkëthemeluesi i FER-it të dikurshëm me kryetarin aktual të Prishtinës, Shpend Ahmeti, për dallim nga të tjerët në Vetëvendosje, nuk e kontestonte as flamurin me gjashtë yje të Republikës së Kosovës.

Deda në një emision argëtues në një televizion vendor, kishte zgjedhur për ta promovuar pikërisht flamurin e Kosovës, i cili nga Vetëvendosje konsiderohet si imponuar dhe që pengon rrugën e bashkimit kombëtar.

Me këtë rast, Deda kishte zgjedhur të bëjë hartën e botës, duke e theksuar flamurin e Kosovës, gjë e cila nuk ishte pritur mirë në partinë e tij.

“Lëvizja VETVENDOSJE! është kundër një flamuri artificial i cili iu është imponuar popullit shqiptar pa e pyetur atë! Pranimi i këtij flamuri nga një anëtar i kësaj lëvizje e dëmton rëndë VV-n!”, kishte shkruar një komentues fotografinë e postuar në Facebook nga deputeti Deda.

Ndërsa, sot qarja e raporteve të Dedës me Vetëvendosjes, duket edhe sheshazi.

Në një reagim zyrtar, Vetëvendosje tha se deklarata e deputetit Ilir Deda për largimin e rrethojave të objektit të Qeverisë, nuk përfaqëson qëndrim të organizatës e as të Grupit Parlamentar të organizatës në Kuvendin e Kosovës. /lajmi.net