Lajme Shqip Wednesday, 04 December 2013 16:21

Shkup- Portali Almakos.com, raportoi se disa javë me radhë lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi është duke e riorganizuar forumin rinor të kësaj partie në të gjitha qytetet, ndërkohë në një takim me forumin rinor të kësaj partie, Thaçi ka zbuluar se ç’farë kishte biseduar ai me liderin e BDI-së, Ali Ahmetin, në takimin e tyre të fundit.

Ndërkaq, gazeta “Lajm”, pas disa hulumtimeve kishte kuptuar se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e kishte quajtur “njeri i pyllit” kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti, në takimin e përbashkët në Shkup të treshit Rama-Ahmeti-Thaçi.

Thaçi për takimin në fjalë nuk ka përmendur taksativisht se bëhet fjalë për takimin me kryeministrin Rama, por ka thënë se bëhet fjalë për “takimin  e fundit me një mik të përbashkët”, që në fakt ishte takimi i realizuar me ndërmjetësim të kryeministrit shqiptar. 

Sipas deklaratës së Thaçit, duket se këtë epitet Rama ja ka dhënë Ahmetit më tepër në shaka, se sa seriozisht. 

 “Në një bashkëbisedim të fundit që pata me oponentin tim politik, ai tha ne e kemi bë Marrëveshjen e Ohrit në konsultim me ekspertin amerikan Pol Vud. I thash nuk e ka emri Pol Vud, por e ka Pol Vilijams. Dhe miku i përbashkët që rrinte me ne tha leje Menduh, ka të drejtë, sepse Vud anglisht do të thotë pyll, edhe ky ka ardhur prej pyllit dhe është shumë e qartë… Ne kemi vështirësi të jashtëzakonshme të merremi me këtë politikën e pyllit, me këtë politikë që nuk është politikë”, ka thënë Thaçi. 

Edhe përkundër tentimeve, “Lajm”nuk ka arritur të kontaktojë me përfaqësues të BDI-së.