Lajme Shqip Friday, 19 October 2012 11:34

Tiranë-Shënohen sot 9 vjet nga lumturimi i Nënë Terezës, bamirëses së madhe shqiptare, simboli boteror i ndihmës për të varfrit, të cilëve ajo i kushtoi gjithë jetën. Gjashtë vjet pas ndarjes nga jeta, në vitin 2003, ajo u shpall “E Lumturuar” nga Papa Gjon Pali II, cka i hapi rrugë shënjtërimit të saj. Angje Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi në Shkup më 1910, nga prindër shqiptarë.

Që në moshën 12 vjeç kishte dëshirë të bëhej misionare “për të përhapur mesazhin e dashurisë së Krishtit”. Në moshën 18 vjeç hyri në urdhrin e motrave të Notre-Dame de Lorette, në Dublin, që punonte me arkipeshkvinë e Kalkutës. Në fillim të vitit 1948, ajo lejohet të largohet nga urdhëri dhe motra Agnes bëhet Nënë Tereza për nder të shenjtores franceze Sainte-Terese e Lisieux dhe vendoset në barakat e Kalkutës, në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhërin e saj te murgeshave të quajtur Misionaret e Bamirësisë. Nga ajo kohë iu dedikua tërësisht të varfërve.

Në vitin 1952, takimi me një grua të braktisur që po jepte shpirt mbi një trotuar në rrugët e Kalkutës, e bëri atë të ndëmerrte një nga detyrat për të cilat u admirua më shumë, kujdesin për njerëzit duke dhënë shpirt. Pas këtij rasti kritikoi ashpër autoritetet e Kalkutës dhe arriti të siguronte një ndërtesë të shekullit të XIX, pranë tempullit Kali, ku do të priste të gjithë ata që vuanin nga tuberkulozi, nga dizanteria, ose tetanozi, të cilët nuk i pranonin spitalet. Për 40 vjet, më se 30 000 persona vdiqën atje. Krahas kësaj, misioni i saj punonte në ndihmë të strehimit të fëmijëve të braktisur në gjithë botën, kurimit të leprozëve dhe në ndihmë të viktimave të Sidës.

E veshur gjithnjë me mantelin e bardhë, me shirita blu të urdhërit të Misionareve të Bamirësisë, Nënë Tereza e kishte zakon të thoshte se vepra e jetës së saj nuk ishte veçse “një pikë lehtësimi në një oqean vuajtjesh”.  Nene Tereza nuk e pranoi asnjëherë famën pasi thoshte se gjithshka e bënte për hir të dashurisë së Zotit. Bëri një jetë të thjeshte pa pasuri.

Në vitin 1979, Çmimi Nobel i Paqes, shpërbleu punën e palodhshme të Nënë Terezës në favor të të varfërve dhe personave që ishin duke dhënë shpirt, duke i dhënë një autoritet botëror asaj që shumë prej adhuruesve e konsiderojnë si një shenjtore. “Shenjtore e të varfërve”, Nënë Tereza ndërroi jetë në 5 shtator 1997, në moshën 87 vjeç, pas një gjysmë shekulli shërbim ndaj të braktisurve në Indi dhe në mbarë botën. Tashme ajo prehet në selinë e Urdhërit të Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta. (LajmeShqip.com)