Lajme Shqip Wednesday, 04 April 2012 18:46

Pranë Urdhrit të Mjekut dhe në organet e drejtësisë janë depozituar 89 ankesa nga pacientët për mjekët përgjatë viteve 2011-2012 deri në momentin e tanishëm. Shumica dërrmuese, rreth 65 prej  tyre, i përkasin Këshillit Rajonal të Tiranës, 17 u përkasin 11 rajoneve të tjera dhe 7 raste organeve të drejtësisë (2 në Korçë, 1 në Fier, 1 në Gjirokastër, 2 në Durrës dhe 1 në Lezhë), të cilat janë ndjekur ose po ndiqen penalisht.
     Këto u bënë të ditura nga kreu i urdhrit të Mjekut, Dine Abazaj, gjatë një deklarate për mediat. Abazaj tha se nga totali i ankesave të raportuara në UMSH dhe organet e Drejtësisë, 59 raste kanë të bëjne me konfliktet mjek-pacient për barnat dhe recetat e rimbursueshme, ndërkohë që mjekët specialistë kanë qenë kryesisht shkak i këtyre konflikteve, të cilat janë zgjidhur e sqaruar rast pas rasti. 
     Ndërkaq, 11 raste janë vdekje në spitale, ku akuzohen mjekët për mjekim të pakujdesshëm, 7 nga të cilat janë paditur dhe ndjekur penalisht nga organet e drejtësisë. Sipas Urdhrit të Mjekut, 10 raste janë denoncime në UMSH për pakënaqësi në mjekim (jo vdekje), ndërsa ankesat e tjera, 19 raste, nuk kanë të bëjnë me të sëmurë apo vdekje, por probleme midis mjekësh apo mjekë me instuticione shëndetësore, etj. 
     UMSH thekson mungesën e ankesave për mitmarrje, problem ky gjerësisht i përfolur dhe debatuar në publik, në media, në institucione të ndryshme, etj, ndërkohë që thotë se ky fenomen nuk duhet neglizhuar, por as ekzagjeruar tej kufijve të realitetit si problem, për të cilin janë përgjegjës të dy palët e përfshira në këtë aferë, mjekë e qytetarë.