Lajme Shqip Thursday, 08 March 2012 13:36

Tiranë – Në Ditën e Gruas, me qindra gra janë mbledhur në Pallatin e Kongreseve dhe nën ritmet e këngës ‘I need a hero’ aktivitet ishte i pranishëm edhe kryeministri i vendit Sali Berisha.  

Berisha e nisi fjalën e ti duke iu përulur së pari të shoqes, Liri Berishës. “Privilegj i veçantë të përulem me nderim të madh së pari para bashkëshortes time,” tha Berisha.

“Nëna është burimi i jetës për çdo komb, për ne shqiptarët një komb ndër më të lashtit në planet nëna është arkitekte e identitetit tonë kombëtar. Çfarëdo që pësuam në dheun tonë, mynxyra e pushtime shekullore, lindëm shqiptarë dhe vdiqëm shqiptarë falë moralit të nënave shqiptare. Ndaj dhe sot në këtë 100 vjetor nderimi më i madh u përket grave dhe nenave shqiptare,” tha Berisha.

Kryeministri tha se gratë kanë qenë vendimtare për ndryshimet e mëdha në Shqipëri. “Mirënjohje të veçantë për të gjitha ato qindra e mijëra gra shqiptare që në vitet ‘90 me guximin e tyre, me virtytet e tyre, ishin të parat që u vërsulen për të përmbysur diktaturën më shpërfytyruese që Europa kishte njohur në tërë historinë e saj,” tha Berisha.

Kryeministri vijoi duke thënë se gratë janë histori suksesi kudo që janë. “Sot kudo jeni histori të vërteta suksesi, në Parlament, qeveri e administratë. Roli juaj në reformat e transformimit të vendit ka qenë dhe mbetet përcaktues, roli juaj në drejtim të biznesit vjen gjithnjë duke u rritur. Zërat tuaj kanë magjinë artistike ndaj dhe ju kryesoni në këngë, në art e kudo. Sot gratë dhe vajzat shqiptare janë frymëzuese në shkencë, në biznes, në botën akademike dhe në çdo fushë tjetër,” u shpreh Berisha.

Kryeministri tha se nuk do citonte statistika për arritjet e grave, por u bëri thirrje atyre të rrëzojnë murin e patriarkisë.

“Në radhë të parë ju duhet të vendosni të angazhoheni në një betejë të madhe, në një betejë historike për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave tuaja. Është ky mur që gjeneron dhunë, diskriminim ndaj jush, që mban shoqërinë tonë të pabarabartë,” tha Berisha.