Prishtinë – EULEX po bëhet gjithnjë e më shumë i padëshirueshëm në Kosovë. Kjo është shprehur edhe gjatë debatit në Kuvendin e Kosovës si përfaqësues i drejtpërdrejtë i popullit, ndërkohë që qytetarët në mënyrë masive këtë e kanë shprehur edhe përmes një ankete të një agjencie lajmesh në Kosovë.
Në pyetjen e anketës “A duhet t’i ndërpritet misioni EULEX-it në Kosovë?”, shumica e pjesëmarrësve kanë votuar pro ndërprerjes së misionit.
Nga 1786 pjesëmarrës, pro ndërprerjes së misionit të EULEX-it janë shprehur 1330 votues ose 74 për qind, kundër kanë votuar 409 ose 23 për qind, ndërkaq të papërcaktuar kanë qenë 47 votues, ose 3 për qind.
Në këtë drejtim, edhe shoqatat e dala nga lufta, ditë më parë u kanë bërë thirrje pjesëtarëve të tyre që mos ta njohin EULEX-in dhe të kundërshtojnë bashkëpunimin me të.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari ka thënë se EULEX-i ka dëshmuar se po e ndjek rrugën e UNMIK-ut
Ndërkohë, kryeparlamentari Jakup Krasniqi të martën ka arsyetuar kritikat që ligjvënësit kanë bërë në Kuvendin e Kosovës, por mendon se bashkëpunimi me këtë mission duhet të vazhdojë.
Ndryshe, ditëve të fundit ekzekutivi i vendit, përkatësisht ministri i Punëve të Brendshme ka dalë me deklarata më të ‘nxehta’ në drejtim të EULEX-it, duke thënë “nuk ka hajr dhe ruana Zot prej EULEX-it”, ndërkohë edhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi e ka mbështetur Rexhepin duke thënë se ai nuk ka kritikuar për punë, por për mospunë. Ndërkohë, ligjvënësit në seancën e fundit, përveç për mungesë veprimi për zbatimin e rendit dhe ligjit në tërë territorin, me theks të veçantë në veri të vendit, kanë akuzuar misionin evropian edhe për veprimet e fundit ndaj ish pjesëtarëve të UÇK-së.