Lajme Shqip Friday, 25 March 2011 19:09

Prishtinë –  Me 67 vota për, 35 kundër dhe dy abstenime, Kuvendi i Kosovës pas një debati maratonik prej nëntë orësh, ka miratuar në parim Projektligjin për buxhetin 2011.

Opozita ka kundërshtuar nenin 4 të Projektligjit të buxhetit, i cili parasheh shitjen e PTK-së.

Në seancë ka pasur debat edhe për çështjen e rritjes së pagave, për të cilën opozita ka thënë se nuk janë rritur pagat aq sa ka premtuar kryeministri.

Me miratimin e sotëm në parim ngarkohet Komisioni për buxhet dhe financa dhe komisionet e përhershme që të shqyrtojnë projekt-buxhetin dhe të sjellin një raport me rekomandime, në mënyrë që më së largu deri më 31 mars ligji të miratohet në Kuvend.

Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, disa herë i është dashur të dalë të premten në foltoren e Kuvendit të përballet me dilemat që kanë ngritur ligjvënësit e opozitës për projektbuxhetin e vitit 2011, por edhe për t’i bindur ata që ta mbështesin këtë projektbuxhet.

Ai ka këmbëngulur në vendimin e tij për ngritje të pagave, duke thënë se edhe subjektet tjera politike duhet ta mbështesin këtë projektbuxhet që parasheh ngritjen e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës, sikurse që ka këmbëngulur për privatizimin e PTK-së, i cili parashihet me nenin 4 të projektbuxhetit.

Nga deputetët e opozitës shpesh kjo është konsideruar si fushatë e papërfunduar zgjedhore nga ana e kryeministrit Thaçi, përderisa përfshirja e privatizimit të PTK-së, është konsideruar si shkelje e Kushtetutës dhe Ligjit për ndërmarrjet publike.

Ndërkohë në krah të tij shpeshherë në foltoren e Kuvendit janë paraqitur ministri i Financave, Bedri Hamza dhe ai i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj. Ky i fundit ka zhvilluar edhe replikë me deputetin e LDK-së, Arben Gashi, i cili është edhe kryetar i Komisionit për legjislacion.

Gashi duke e kundërshtuar nenin 4 të Projektligjit të buxhetit, i cili parasheh shitjen e PTK-së, ka thënë se ky projektbuxhet po e rrezikon të ardhmen e PTK-së, ndërkaq për rritjen e pagave ka thënë se e kundërshton, për faktin se vendimi është marrë nga zyra partiake.

Ministri Besim Beqaj ua ka rikujtuar opozitarëve se asnjë buxhet nuk aprovohet në bazë të parave kesh, por duke llogaritur të hyrat buxhetore, ndërkaq e ka quajtur logjikë të kaluar, këmbënguljen për mosprivatizimin e PTK-së.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik ka thënë se neni 4 do të riformulohet, por ka mohuar të jetë në kundërshtim me ndonjë normë kushtetuese.

“Unë besoj në profesionalizmin e disa deputetëve këtu, por disa të tjerë i lus që ta nxjerrin digitronin për llogari”, ka thënë Hamza.

Debati për Projektligjin për buxhetin ka nisur paradite dhe ka vazhduar edhe gjatë pasdites, ndërkaq sipas të gjitha gjasave, miratimi në parim i këtij projektbuxheti do të shtyhet për të shtunën, ose për të hënën, pasi që përveç kërkesave të mëdha të deputetëve për të diskutuar, është në pyetje edhe kundërshtimi për përfshirjen e privatizimin e PTK-së në kuadër të projektligjit për buxhetin. LDK-ja kërkon që çështja e privatizimit të PTK-së, të vijë si ligj i veçantë, e mos të përfshihet në kuadër të buxhetit.

HAMZA: BUXHETI ËSHTË I PROJEKTUAR NË BAZË TË PRIORITETEVE TË QEVERISË

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se buxheti i vitit 2011 është projektuar në bazë të prioriteteve të qeverisë së vendit, duke paraparë një rritje ekonomike prej 5.3 për qind dhe trajtimin e çështjeve sociale.

Ai në një prononcim ka thënë se ka shumë arsye pse duhet votuar ky buxhet, sepse siç ka thënë ai buxheti parasheh përmirësimin e pozitës materiale të gjithë punësuarve në sektorin publik dhe gjithashtu edhe ndërtimin e autostradës.

Sipas tij, me këtë buxhet parashihet furnizimi me libra falas për të gjithë nxënësit e shkollës fillore dhe parashihet fondi për barna esenciale. Ndërsa ai ka shtuar se është koha që Kosova deri më 1 prill të ketë buxhetin e miratuar që të mund të vazhdoj me pagesat normale.

Ministri ka theksuar se ky buxhet është i projektuar në bazë të prioriteteve që i paraparë Ekzekutivi i vendit.

Ndërsa i pyetur se a do të votojnë edhe deputetët e opozitës këtë buxhet, Hamza beson se të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës do të votojnë miratimin e buxhetit.