Lajme Shqip Tuesday, 02 August 2011 13:30

Tiranë – Me ftesë të Zv/Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, mbërrin nesër për një vizitë zyrtare dy ditore në Shqipëri, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës Popullore të Kinës, Yang Jiechi.

Tirana është vendqëndrimi i parë në turin e tij në Europë dhe Afrikë, njoftuan sot burime të ministrisë shqiptare të Punëve të Jashtme.

Sipas këtyre burimeve, vizita e Jiechit bëhet në prag të 40-vjetorit të ripranimit të Republikës Popullore të Kinës në OKB, ngjarje për të cilën Kina vazhdon të vlerësojë kontributin e madh të Shqipërisë. Qëllimi i vizitës së Jiechit është forcimi i marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimi ekonomik, për të sjellë një dinamikë të re në lidhjet mes dy popujve.

Z. Jiechi do të pritet fillimisht nga Zv/Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Haxhinasto dhe pas takimit  do të ketë një konferencë për shtyp në mjediset e MPJ ku do të nënshkruhet edhe një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e turizmit, ndërmjet Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë dhe Administratës Kombëtare të Turizmit të Republikës Popullore të Kinës për vitet 2011-2013.

Sipas burimeve të ministrisë së Jashtme ,Ministri i jashtëm kinez do të pritet më 4 gusht në takime të veçanta edhe nga  Kryeministri  Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe  Presidenti i Republikës Bamir Topi.