Lajme Shqip Friday, 02 March 2012 13:42

Lezhë-Qyteti i Lezhës por edhe gjithë Shqipëria ka përkujtuar sot 568-vjetorin e Kuvendit të Lezhës me një serë aktivitetesh, si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar.

Në ceremoninë përkujtimore, organizuar nga Bashkia e këtij qyteti, morën pjesë kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, personalitete nga Kosova, Maqedonia, drejtues lokalë, qytetarë, etj.

Natyrshëm që i pranishëm duhej dhe pritej të ishte edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi, por kreut të shtetit i është mohuar e drejta e fjalës dhe për këtë arsye ai ka refuzuar pjesëmarrjen.

Në një njoftim të publikuar në faqen e presidencës sqarohet pikërisht mungesa e presidentit Topi në këtë eveniment.

 “Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi ka marrë ftesën zyrtare nga Bashkia Lezhë për të marrë pjesë në ceremonitë zyrtare në përkujtim të 568-vjetorit të Kuvendit të Lezhës. Në përputhje me legjislacionin, praktikat dhe rregullat protokollare të shtetit shqiptar më datë 1 mars 2012, Presidenti i ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij dhe fjalën përshëndetëse Drejtorisë së Protokollit të Shtetit, e cila gjithashtu është shprehur dakord me këtë praktikë”-thuhet në njoftim.

Por më tutje presidenca shpjegon se pikërisht në prag të ceremonisë, “më datë 2 mars 2012, Kabineti i Presidentit të Republikës ka marrë një njoftim të dytë nga Protokolli i Shtetit, sipas të cilit Presidentit i mohohet e drejta e fjalës dhe e përshëndetjes në këtë ceremoni”.

“Duke e konsideruar këtë akt përjashtues, si sjellje të padenjë zyrtare, si shkelje flagrante e normave të Protokollit të Shtetit, si mungesë respekti për institucionet e shtetit, për qytetarët e Lezhës si dhe për ngjarjen historike të cilën përkujtojmë sot, Presidenti nuk mund të bëhej pjesë formale e prezencës në këtë ceremoni”-thuhet në njoftim.

Më 2 Mars të vitit 1444 Gjergj Kastrioti Skënderbeu zgjodhi Lezhën për të bërë të mundur bashkimin e gjithë princave shqiptar, si nje vend i garantuar dhe i Besës.(LajmeShqip.com)